Vjollca Robelli Mripa e cila njihet për hitin e saj më të hershëm “Ajo”, tashmë ka vendosë që atë këngë ta ketë edhe si shenjë identifikuese të karrierës artistike.

Ju kujtohet bejbifejs Vjollca Robelli me këngën dhe videon e saj “Ajo”, publikuar para 15 viteve, që ishte një hit dhe që është ende e këndshme për ta dëgjuar? Vjollca Robelli Mripa tash jeton në Londër, nënë e katër fëmijëve, e riinkarnuar në personën artistike AJO ka publikuar këngën e saj më të re të quajtur “BESA”, punuar nga emra të njohur dhe të respektuar në industrinë e muzikës në Angli.

Vjollca Robelli duke kenduar kengen Ajo ne videon muzikore me titull te njejte

Vjollca Robelli para 15 viteve, duke kënduar këngën Ajo në videon muzikore me titull të njëjtë

Kënga është shkruar dhe komponuar nga Vjollca Robelli Mripa dhe miksi i saj është bërë nga Andrew Phillips, i cili është kompozitor i nominuar për Oscar dhe Emmy.

Master-i i këngës është bërë nga Max Gilkes, pjesë e 1Sonic Production Studio, të nominuar për Grammy dhe Mercury.

“Besa është zakon i ruajtur me shekuj ndër shqiptarë. Kjo këngë na përkujton vetitë e mira si popull që kemi ose të paktën që kemi pas. Mikpritja është një nga tiparet që na dallon nga popujt tjerë dhe me këtë këngë dua që të bëjë thirrje që të mos e harrojmë atë, të këndojmë, vallëzojmë e t’i festojmë të mirat tona. Shpresoj që me këtë kangë të sjell gëzim tek ju”, ka thënë AJO për KOHA.net.

AJO nëpërmjet faqes zyrtare më heret ka shkruar: “Jam shumë e lumtur ta ndaj me t’gjithë lajmin që po kthehem në skenë si AJO, pas dy vitesh pune në albumin tim. Duke jetu larg vendlindjes për së paku 15 vjet, kam arrit me e çmu ma shumë prejardhjen time dhe kjo më ka ndihmu e inspiru që të krijoj muzikë bazu në kulturën dhe traditën tonë. Meqenëse jam ba nanë e 4 fëmijëve, dua që trashëgiminë time fillimisht me ua përcjellë atyre e pastaj edhe botës, e ku ka mënyrë më të mirë se përmes muzikës …Më vonë gjatë këtij muaji, 20 vjet pas luftës, do të sjell për juve, kangën time BESA.”

Burime:
https://www.koha.net/kulture/170146/me-28-qershor-ajo-sjell-kengen-besa/
https://www.kultplus.com/muzika/vjollca-robelli-mripa-rikthehet-ne-skene-me-ajo/