Shkrimtarja Yllka Sheqiri është autore e dy përmbledhjeve poetike në gjuhën suedeze “Jag lyssnar inte alltid” (Unë dëgjoj jo gjithmonë) 2005 dhe “Men” (Por) 2008. Ajo u prezantua në përmbledhjen antologjike “Via Mystica” (Përmes mistikës) nga autorët Jonas Eek, Stefan Klint, Beata Åhrman-Ekh, botim i shtëpisë botuese “Verbum” si dhe në antologjinë “Revansch 2008”, botim i shtëpisë botuese “Skrivarsidan” dhe “Vullkan”.

Me krijimet e veta Yllka është prezantuar edhe në librin shkollor “Urat tona”, si dhe në disa antologji të tjera. Yllka Sheqiri, poete, studente e dramës, filmit dhe skenarit është një krijuese që premton shumë, jo vetëm në fushën e letërsisë, por edhe të dramës e të filmit. Këtë e dëshmoi me filmin e saj të shkurtër artistik, të realizuar vitin e kaluar me titull “Në pus pa fund”, skenarin dhe regjinë e të cilit i bëri vetë dhe ku rolin kryesor e luan po vetë.

Me këtë film ajo konkurroi në Festivalin e filmit të shkurtër artistik “Alfredgalan 2009” që u mbajt në Solvesborg të Suedisë. Juria e këtij festivali, nga mbi tridhjetë filma zgjodhi 15 për konkurrim dhe në mesin e tyre edhe filmin e Yllkës.

Burime:
Gazeta Express
Gazeta Shqiptare