v123642p0

Ulqini, para hapjes së Shqipërisë, ka qenë i vetmi destinacion bregdetar shqiptar i preferuar nga shqiptarët e Kosovës dhe të Maqedonisë por kjo po zbehet për arsye të ndryshme, e një ndër to është edhe gjobitja e vazhdueshme dhe qëllimkeqe që policia malazeze ua bën shqiptarëve, shpesh pa pikë arsye.

Shqiptarët nga diaspora të cilët udhëtojnë me makina për Kosovë, në mënyrë që t’i evitojnë rrugës nëpër Serbi, detyrohen të shkojnë nëpër Kroaci dhe Mal të Zi, një rrugë kjo e mundimshme, por këtë e vështërsojnë gjobitjet e tepruara dhe vargore që policia malazeze ua bën atyre.

Shpesh këto gjobitje janë plotësisht të paarsyeshme dhe i vetmi qëllim i tyre është intimidimi dhe shpesh plaçkitja nëpërmjet mitos. Disa policë malazezë nuk janë hiq ma tepër se sa banditë rruge. Shpesh, shqiptarët, janë të detyruar që të paguajnë ryshfet “për një kafe”, ta zëmë 10 euro që t’i evitojnë “gjobitjet” prej 50-100 eurove apo shkuarjes në gjyq.

Por kur një shqiptar kinse paska tentuar ta bënte këtë ai u burgos për “dhënie të mitos ” dhe u dënua me 8,000 euro gjobitje. Është fjala për një turist nga Kosova, Sami Kryeziu, i cili u akuzua për dhënie të mitos, gjë që ai nuk e pranon, dhe u lirua nga paraburgimi vetëm kur pagoi këtë shumë të majme të eurove. Kjo dhe raste tjera kanë bërë që numri i turistëve në Ulqin të bie dukshëm, bile edhe ata që kanë shkuar kanë filluar ta lëshojnë këtë qytet.

Kjo është një çështje që duhet të adresohet urgjentisht nga politikanët shqiptarë të Malit të Zi. Ata duhet të sfidojnë premtimet boshe të ministrit të turizmit malazias Predrag Nenezic, i cili tha se turistët nga Kosova nuk do të keqtrajtohen. Kjo mund t’i kushtoj shumë shtrenjtë edhe ekonomisë së Ulqinit, që po thuajse plotësisht varet nga turizmi, dhe nëse ekonomia e këtij qyteti shqiptar shkatërrohet, atëherë edhe ata pak shqiptarë autoktonë që kanë mbetur do të emigrojnë.

Burimi (serbisht):
http://www.vijesti.co.me/index.php?id=309660