Vrasja masovike që ndodhi të enjten e kaluar në Espoo të Finlandës pati jehonë të madhe jo vetëm në mediat botërore por edhe në Kosovë, prej nga vrasësi Ibrahim Shkupolli (43) ishte me prejardhje.

Shkupolli i cili kishte jetuar në Finlandë që nga viti 1990, vrau ish-dashnoren e tij në banesën e saj pasi që kishte vrarë katër kolegët e saj në qendrën tregtare Sello të këtij qyteti. Pak më vonë, në të njëjtën ditë, ai vrau veten në apartamentin e tij.

Shkupolli kishte jetuar me të dashurën e tij finlandeze për 18 vite, një relacion ky i komplikuar, që kulminoj me ndalesën gjyqësore që ai mos t’i afrohej asaj dhe vrasjet fatale. Thuhet se ai kishte qenë i martuar edhe me një shqiptare me të cilën ka patur fëmijë.

Duket se ky është një krim pasioni por që do të ketë jehonë në Finlandë për një kohë të gjatë për shkak të natyrës së tij si dhe ngjashmërisë me dy vrasjet masovike që ndodhën këtu në vitet e fundit. Finlanda është një nga shtetet e botës kur përqindja e armëmbajtësve me leje është shumë e lartë dhe është afër me atë të SHBA-ve.

Komuniteti shqiptar në Finlandë janë të shokuar në lidhje me këtë tragjedi, dhe ata shpresojnë se ky lloj incidenti të mos përdoret kundër tyre dhe imigrantëve të tjerë në këtë shtet nordik.

Përfaqësuesi i këtij komuniteti, Driton Nushi, tha se vrasjet ishin një akt fatkeq dhe tragjik, që ka shokuar krejt kombin dhe të gjithë shqiptarët e Kosovës. Ai i shprehu ngushëllime familjeve të viktimave dhe të vrasësit dhe ceku se asnjë anëtar i komunitetit shqiptar të Finlandës nuk duhet të pranojnë vrasjen.

Edhe pse motivi i kësaj vrasje duket të jetë pasioni sipas, një komentuesi në Times Online, Roger Boyes, një element tjetër duhet të merret parasysh. Sipas tij edhe pse Finlanda pranoi shumë refugjatë nga Kosova që nga fillimi i viteve 90-ta, dhe atyre iu ofruan kushte të mira dhe strehë mbi kokë, ata u injoruan. Si rezultat refugjatët e Ballkanit jetojnë në një “univers paralel” të internet kafeve, bastoreve dhe punëve jo të rregullta.

Një studim i bërë nga një psikologe suedeze e Institutit Karolinska të Stockholm-it, që si subjekt kishte refugjatë shqiptarë nga Kosova të evakuuar gjatë luftës, zbuloi probleme serioze psikologjike përfshi çrregullimet post-traumatike dhe depresionin klinik.

Shkupolli, ka qenë në regjistër të policisë që nga viti 2003, kur ai për herë të parë u dënua për armëmbajtje pa leje. Urdhri gjyqësor që ndalon atë t’i afrohet ish-të dashurës tregon se gjyqi e konsideronte atë të pa-parashikueshëm dhe të dhunshëm. “Pse nuk u ndërmor diçka? Pse ai nuk u referua për trajtim psikologjik?” pyet Roger Boyes dhe përfundon duke thënë “nëse doni të keni një shtet nordik dado ai duhet të punoj për te gjithë, jo vetëm për Finlandezët vendas.”

Lidhje dhe burime:
Kosovo Albanians Shocked by Espoo Shooting
Profile: Finland gunman
Comment: Ibrahim Shkupolli, the killer form Kosovo, was left in the cold