Përfaqësuese të OJQ-se Medica Kosova në Samitin Global për Ndaljen e Përdhunimeve Në Luftë që po mbahet në Londër

Përfaqësuese të OJQ-se Medica Kosova në Samitin Global për Ndaljen e Përdhunimeve Në Luftë që po mbahet në Londër


Në Samitin Global që po mbahet në ExCel të Londrës për ndaljen e përdhunimeve në luftë (End Sexual Violence in Conflict, London 2014 Global Summit), është prezente edhe një organizatë shqiptare nga Kosova e grave nga Gjakova, të cilat kanë një ekspozitë aty, të emëruar “Pse Unë”, me piktura që janë në shitje të krijuara nga femrat shqiptare të traumatizuara nga dhuna seksuale gjatë luftës së Kosovës të viteve 1998-1999.

Përfaqësueset e kësaj OJQ-je gjakovare, Veprime Shehu dhe Flutra Kumnova, shprehin indinjimin që nuk patën përkrahje institucionale dhe që po ka pak interesim nga komuniteti shqiptar i Britansë në lidhje me këtë samit në përgjithësi por edhe prezencën e kësaj OJQ-je në veçanti. Gjatë luftës së Kosoves të viteve 1998-1999 u përdhunuan në mënyrë sistematike më se 10,000 femra shqiptare nga policia, paramilitarët dhe ushtria serbe.

Ky samit që u hap dje nga Angelina Jolie do të vazhdoj sot edhe nesër deri në ora 20.00. Të interesuarit nga komuniteti ynë që dëshirojnë ta përkrahin këtë samit dhe të ndihmojnë gratë e traumatizuara nga përdhunimet serbe në Kosovë duke ia blerë pikturat e tyre, kanë ende kohë ta bëjnë këtë. Adresa: ExCeL London, Royal Victoria Dock, 1 Western Gateway, London E16 1XL.

Rreth Medica Kosova

Medica Kosova është OJQ e njohur institucionalisht për ofrimin e shërbimeve interdisciplinare psikosociale, shëndetësore dbe juridike, si dhe për përmirësimin e kushteve jetësore të femrave të traumatizuara nga dhuna seksuale dhe të atyre me nevoja të veçanta.

Qëllimi i shoqatës është përmirësimi i gjendjes shëndetësore, mentale dhe i kushteve jeteësore të femrave kosovare të traumatizuara si pasojë e përjetimit të të gjitha llojeve të dhunës, të shkaktuara gjate luftës dhe veprimeve tjera luftarake, me theks te posacëm të përkrahjes së femrave të cilat shfaqin simptome të rënda traumatike të dhunës seksuale.

Vegëza:
https://www.facebook.com/pages/Medica-Kosova/272427462803877
http://esvcsummit.com/