Dy shqiptarë të akuzuar se ishin pjesë e një rrethi të kontrabandës së kokainës në Britani u shpallën të pafajshëm në gjyqin Oxford Crown Court të Anglisë, në një proces që zgjati gati një vit dhe që i kushtoi taksapaguesve 2 milion funta sterline.

Oltjon Nezha dhe Elmand Koshaj ishin dy nga nëntë të akuzuarit për pjesëmarrje në një grup ndërkombëtarë të kontrabandës së drogës, ata u mbajtën në paraburgim për 18 muaj.

Njëra nga firmat më të mëdha të ligjore të Birminghamit, Purcell Parker, kritikoi CPS-në (Shërbimin Mbretëror të Prokurorisë) pasi që ky proces zgjati shumë, taksapaguesve i kushtoi 2 milion funta dhe përfundoi pas vendimit të jurisë që zgjati më pak se dy orë.

Juria u ndien aq të liruar nga ky proces sa që pas përfundimit të gjykimit morën avokatët, klientët, punonjësit e gjyqit dhe të afërmit e të akuzuarve në një pab në afërsi dhe i qerasën me pije. Më shumë se 60 veta shkuan aty që të festojnë mbarimin e këtij rasti në pabin “Heads of the River” të Oxford-it.

Zëdhënësi i firmës ligjorë të Birmingham-it tha se ishte e “turpshme” që aq shumë para dhe kohë të publikut iu kushtuan një rasti që u shkarkua aq shpejtë. Ai tha se ky kishte qenë njëri nga rastet më të komplikuara dhe më të gjata që ka parë në një gjyq.

CPS-ja kishte akuzuar shqiptarët dhe të tjerët se kishin bërë plane dhe kishin importuar kokainë nga Evropa në Britani dhe se kinse pasi që ishte përpunuar në Oxford qenka shitur nëpër Britani.

Policia e Thames Valley-t kishin përgjuar të akuzuarit për më shumë se një vit dhe kishin përdorë teknologji moderne të përcjelljes dhe përgjimit.

Procesi i gjykimi qe shumë i gjatë, jurisë iu desh që të shikonin rreth 3000 video klipe secili nga 30 sekonda, të incizuara nga policia, ku të akuzuarit shihen të dalin dhe të hyjnë nga shtëpia. Prokuroria kishte çuar shumë pluhur në lidhje me këtë por në këto video nuk shihet gjë tjetër përpos një numër i madh i njerëzve të hynin dhe dilnin nga shtëpia që ishte përgjuar.

Të akuzuarit po konsiderojnë mundësinë që të padisin CPS-në për ndjekje penale qëllimkeqe.

Burimet:
http://tinyurl.com/yeaa9as
http://tinyurl.com/y8rcn29