Kadri Veseli gjatë takimit me parlamentarë britanik në House of Lords në Londër, 6 qershor 2016.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Zt Kadri Veseli, gjatë takimit me parlamentarë britanik në House of Lords në Londër, 6 qershor 2016.

Javën e kaluar, me 8 qershor, në Ambasadën e Kosovës në Londër, profesionistë të rrjetit UKAP (UK Albanians Professionals) të ftuar nga ambasada, u takuan me Zt Kadri Veselin, kryetarin e Kuvendit të Kosovës, i cili ato ditë ishte në një vizitë zyrtare në Londër.

Zt Kadri Veseli kishte shprehur dëshirën që të njoftohej me profesionistë dhe biznismenë shqiptarë të Britanisë dhe të shihte se si ata do të investonin, punonin apo zbatonin ekspertizën e tyre në Kosovë.

Pjesëtarë të UKAP-it: Përparim Rama, Sead Haxhijaha dhe Besim Gërguri, i thanë se shumë biznismenë dhe profesionistë shqiptarë do të ishin të interesuar të investonin apo të ofronin ekspertizën e tyre në Kosovë, por kjo momentalisht është e pamundur për shkak të mos-sundimit të ligjit dhe korrupcionit, të cilat janë një kancer i shoqërisë sonë, dhe pa zgjidhjen e tyre nuk do të ketë mundësi investimesh e as përparim dhe zhvillim të shtetit.

Zt Përparim Rama tha se “iniciativat e fundit në Kosovë, si arrestimi i disa të korruptuarëve, Azem Sylës me bashkëpunëtorët e tij, në Perëndim, në Britani shihet si një lëvizje pozitive dhe ne kërkojmë prej shtetit dhe pushtetarëve që të marrin iniciativë të menjëhershme të ndryshimit të gjendjes aktuale, luftimit të korrupsionit, nepotizmit, papunësisë shumë të madhe dhe përgaditjes jo adekuate profesionale”

U kërkua edhe ofrimi i fondeve që do të mundësonte bashkëpunimet profesionale dhe edukative në mes Britanisë dhe Kosovës. Zt Rama tha se kishte një përvojë të keqe kur në vitin 2006 kishte tentuar të krijonte një lidhje në mes të Universitetit të Prishtinës dhe University of East London, por për shkak të neglizhencës të stafit të UP-së kjo nuk u realizua.

Gjithashtu Zt Rama tha se ka pasur edhe raste ku ai ka qenë iniciator i prurjes së investitorëve në Kosovë por për shkat të mungesës së ligjit dhe korrupcionit është pamundësuar investimi në Kosovë nga këta investitorë potencial.

Ai shtoi se Kosova nuk duhet të shpresoj vetëm në diasporën e Kosovës, edhe biznisimenë të huaj do të investonin kur nga kalkulimet e tyre del që investimi në Kosovë nuk rrezikohet. Duhet të krijohet sistemi që njerëzit jo-kompetent i largon dhe vazhdimisht sjellë profesionistë të pakorruptuar të cilët thjeshtë do ta kryenin punën e tyre si duhet.

Zt Kadri Veseli tha se planifikohen të organizohen dy konferenca, një në shtator të këtij viti për arsim dhe një tjetër në nëntor për biznese dhe tha se edhe ju si diasporë keni përgjegjësi, dhe nuk duhet të hiqni dorë nga Kosova.

Zt Veseli tha se Kosova është bërë në një farë mënyre rast social sepse ju po i ndihmoni familjarët atje financiarisht. Ai tha se kjo praktikë duhet të ndërpritet sepse në atë mënyrë njerëzit atje po i merrni në qafë dhe më mirë do të ishte që ata te ndihmoheshin me hapje biznesesh.

Por përfaqësuesit UKAP-it gjatë gjithë kohës parashtruan që kjo të ndodhë, që investimet dhe hapja e bizneseve të fillojnë në Kosovë, duhet te eliminohen korrupsioni dhe mos-zbatimi i ligjit.

Problem tjetër që u përmend nga këta profesionistë shqiptarë, është se edhe pse Kosova ka një përqindje të madhe të të rinjëve, për shkak të degradimit të edukimit që nga pas lufta gjerë më tash dhe krijimit të kuadrove jo-cilësore, sot është shumë vështire të gjinden profesionistë adekuat që do të punonin në këto biznese apo startup-a të reja potenciale.

U përmend rasti i rrjetit social Solaborate, krijuar nga shqiptarë të amerikës me investime amerikane, të cilëve iu desht që programerët t’i gjejnë në Maqedoni, pasi që në Kosovë nuk ka kuadro të mjaftueshme për një ndërrmarje si kjo.

Gjithashtu u përmend edhe problemi i nostrifikimit të diplomave britanike, ku për shkaqe byrokratike shumë shqiptarë me prejardhje nga Kosova, kanë patur problem ta bëjnë nostrifikimin, edhe pse kanë diplomuar në universitete britanike të rangut më të lartë botëror. U cek gjithashtu se problem është edhe nostrifikimi i diplomave kosovare në Britani. Agjencioni britanik që e bënë këtë punë, NARIC, nuk kanë mundur të biejnë në kontakt me zyrtarë të Universiteti të Prishtinës, kur është kërkuar që të bëhet nostrifikimi i diplomave të këtij universiteti në Mbretërinë e Bashkuar.

Zt Rama i tha Zt Kadri Veselit se “UK Albanians Professionals është krijuar për të gjithë shqiptarët e Britanisë pa marrë parasysh se nga vijnë ata dhe do duhej të punohet në nivel pan-shqiptar që nga kjo të përfitojnë të gjitha tokat ku ka shqiptarë.”