Shkroi: Daut Dauti

Shtëpia botuese IB Tauris në Londër ka vazhduar me botimet që për temë kanë çështjen shqiptare. Në bashkëpunim me “The Center for Albanian Studies” dhe nën editimin e Robert Elsiet dhe Bejtullah Destanit kjo shtëpi e njohur së voni ka botuar librin me titull: The Cham Albanians of Greece – A Documantary Story (Shqiptarët Çamë të Greqisë – Një Tregim Dokumentar). Promovimi i këtij libri u bë me 26 prill në klubin e njohur Traveller’s Club në Pall Mall të Londrës me ç’rast për librin folën Robert Elsie, Jeffrey Nice, Noel Malcolm dhe Gazmend Haxhia nga Instituti i Studimeve për Çamërinë.  Në promovim morën pjesë edhe një grup i çamëve të udhëhequr nga drejtori i këtij instituti, Gjergj Xhafa, i cili ka ndihmuar botimin e librit dhe organizimin e promovimit. 

Për një kohë të gjatë ka pasur nevojë që opinionit botëror t’i ofrohej e vërteta e cila do të fliste në mënyrë të qartë dhe të dokumentuar për Çamërinë. Ky libër, i cili edhe nga titulli shihet se shpalos tragjedinë çame, është përgjigje adekuate. Për botën, përmbajtja e librit është njoftim për krimet që ushtroi Greqia ndaj shqiptarëve të Çamërisë. Libri është i vlerës së madhe edhe për shqiptarët pasi që ua përkujton një të kaluar të dhembshme dhe i porositë që të mos e harrojnë këtë tragjedi dhe të merren masa pasi që kjo çështje nuk është tërësisht e mbyllur siç pretendon Greqia.

Në lidhje me temën që trajtohet në libër, Dr. Noel Malcolm ka theksuar se ” fati i shqiptarëve çamë është një nga sekretet më të errëta të historisë bashkëkohore evropiane”. Duke folur për rëndësinë e përmbajtjes Malcolm ka bërë me dije se libri është koleksion i dokumenteve të rëndësishme të cilat hedhin dritë të nevojshme mbi temën e trajtuar.

Libri është përmbledhje e dokumenteve të nxjerra nga arkivat e Foreign Officeit dhe arkivat tjera. Material dokumentues janë korrespodencat e diplomatëve shqiptarë, britanikë dhe të tjerëve në lidhje me këtë çështje. Poashtu, janë përmbledhur memorandume, raportime, shkrime nga shtypi, vlerësime apo kujtime të personaliteteve të ndryshme dhe dokumente tjera relevante që vijnë nga anë të ndryshme të botës. Libri ndahet në tre kapituj kryesor që përfshijnë periudhën e kohës së sundimit otoman, periudhën e pas Marrëveshjes së Lozanës dhe periudhën e pas Luftës së Dytë Botërore. Libri ilustrohet me disa harta kurse për të dokumentuar në mënyrë vizuale një pjesë të tragjedisë çame janë dhënë edhe disa fotografi të nxjerra nga arkivi i UNRRA-s.

Rrëfimi i tragjedisë fillon me kalimin e Çamërisë në anën greke të kufirit që u bë sipas vendimit të Komisionit të Kufijve dhe Protokollit të Firences të vitit 1913. Territori i Çamërisë, me madhësi përafërsisht të ngjashme me territorin që ka sot Kosova, u bë poligon i ushtrimit të dhunës së egër greke kundër shqiptarëve të Çamërisë. Kjo dhunë e shfrenuar mori përmasa të gjenocidit për të cilin bota nuk tregoi ndonjë ndjeshmëri. Plani grek ishte që shqiptarët ortodoks të asimiloheshin kurse ata myslimanë të dëboheshin jashtë Greqisë ose të shfaroseshin në çfarëdo forme. Në këto rrethana të vështira shteti i sapo krijuar shqiptar gati nuk ekzistonte dhe nga kjo pozitë e rëndë nuk qe në gjendje që çamëve tu ofronte ndonjë ndihmë përkatëse.

Prandaj, këtu filloi persekutimi dhe dëbimi i çamëve që u nis nga regjimi i Metaksës. Masën e parë të persekutimit që zbatoi ky regjim ishte ndalimi që iu bë këtyre shqiptarëve që publikisht dhe privatisht ta flisnin gjuhën e tyre amtare. Regjimi i Athinës u dha leje bandave të kriminelëve grekë që të vepronin sipas dëshirës në rajonet shqiptare. Banda paramilitare që u dallua më së shumti kundër shqiptarëve të pambrojtur ishte ajo e Deli Janakisit i cili plaçkiti, dhunoi dhe vrau një numër të madh të banorëve të më shumë se 100 fshatrave shqiptare.

Në këtë valë të krimeve, siç shohim nga dokumentet e botuara në libër, as qeveria greke nuk ndeji duarkryq. Ajo urdhëroi shpronësimin e shqiptarëve çamë duke e shfrytëzuar një reformë agrare si pretekst. Çamët e pabindshëm dhe udhëheqësit e tyre u dërguan nëpër kampe të përqendrimit qe ekzistonin në shumë vende të Greqisë.

Këtu shohim se me përfundimin e luftës greko-turke (1919-1922) pasoi marrëveshja për ndërrimin e popullatës greke dhe turke e cila u nënshkrua në Lozanë në vitin 1923. Kjo marrëveshje përjashtonte shqiptarët (çamët) pasi që këta nuk ishin turq dhe si pasojë nuk mund të shpërnguleshin në Turqi. Regjimi i Athinës nuk e respektoi këtë dallim që e impononte marrëveshja dhe duke përdorë dhunën filloi t’i përzinte çamët në drejtim të Turqisë. Persekutimet ishin aq të pa durueshme sa që një numër i konsideruar i shqiptarëve u deklarua të ishin turq vetëm sa për t’i ikur vdekjes, maltretimeve, poshtërimeve dhe të këqijave tjera që ushtronte Athina ndaj tyre.

Persekutimi vazhdoi dhe arriti kulmin me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore. Regjimi i atëhershëm grek filloi t’i vriste çamët në mënyrë masive dhe t’i dëbonte duke e shfrytëzuar pretekstin e bashkëpunimit të çamëve me Fuqitë e Boshtit. Pas tërheqjes së forcave gjermane që u bë në vjeshtën e vitit 1944, britanikët duke dashur që të krijojnë siguri për rrugët detare në pjesën e detit Jon, deri në një masë e inkurajuan gjeneralin fashist grek Napoleon Zervasin që ta okuponte rajonin në fjalë. Zervasi, si anti shqiptar i tërbuar që ishte, filloi menjëherë t’i dëbonte çamët nga vatrat e tyre. Brenda një viti forcat e tija vranë rreth 3000 çamë. Vetëm brenda një nate (27 qershor 1944) në Paramithi këto forca kriminele vranë 600 çamë, në mesin e tyre shumë fëmijë dhe gra. Me 23 shtator 1944 në fshatin Spatër këto forca vranë 157 veta. Lista e grave të dhunuara, pasurive të plaçkitura, shtëpive të djegura… ishte e pafund. Në fund të vitit 1946 në tërë Çamërinë nuk  kishin mbetur më shumë se 100 njerëz. Në vitin 1946 fashisti Napoleon Zervas u emërua ministër i punëve të brendshme përkundër faktit që ishte bashkëpunëtor i forcave okupuese naziste gjermane dhe ekzekutues i masakrave në Çamëri.

Çamët e përzënë nga vatrat e tyre u detyruan të largohen në vende të ndryshme të botës por shumica dërmuese u vendosën në Shqipëri. Tragjedia e rëndë e çamëve nuk përfundoi me ardhjen e tyre në Shqipëri. Edhe regjimi i sapo vendosur komunist i Enver Hoxhës nuk i shihte me sy të mirë pasi që i konsideronte si kolaboracionist të italianëve dhe gjermanëve. Pasi që kjo popullatë konsiderohej refugjate për te u kujdes UNRRA nga shtatori i vitit 1946 deri në pranverën e vitit 1947. Në kampet e ngritura në Delvinë, Durrës, Kavajë, Fier, Vlorë dhe Tiranë, ku u vendosën dhjetëra mijëra çamë, UNRRA shpërndau ushqim, ilaçe, tenda dhe gjëra tjera të nevojshme për këta njerëz të pafat që përjetuan tmerret më të mëdha që mund të imagjinohen.

Që nga atëherë qeveritë greke vazhdimisht e kanë injoruar këtë të tragjedi me përmasa të gjenocidit që ua shkaktuan çamëve. Athina asnjëherë nuk është pajtuar që ta hapë  çështjen çame dhe të përgjigjet pse e privuan nga shtetësia greke këtë popullsi vendase? Asnjëherë grekët nuk dhanë përgjigje pse ua konfiskuan pasuritë këtyre njerëzve të cilët ishin pronarë të shtëpive dhe tokave të mëdha në njërën nga pjesët më të pasura dhe më të bukura të Greqisë. Athina vazhdimisht e ka injoruar ekzistimin e problemit çam dhe në anën tjetër ka shkaktuar probleme dhe komplikime politike e diplomatike me komunitetin grek në Shqipëri i cili krahasuar me atë çamë është joekzistent.

Përzënia e çamëve ishte spastrimi etnik që Greqia bëri pa u ballafaquar me ndonjë kritikë serioze apo pasojë ndërkombëtare. Një veprim i këtillë krijoi sinjale të gabueshme pasi që u kuptua se ishte themeluar një precedent dhe mund të vazhdohej me përzënie të popujve edhe në situata të mëvonshme. Duke u bazuar të këtë shembull, por edhe në disa shembuj  tjerë, një gjë të këtillë e provoi edhe Serbia e Milosheviqit në Kosovë pas gjysmë shekulli. Për fat të mirë, në këtë rast, nuk u përsërit “suksesi” i Greqisë dhe imitimi serb i këtij krimi dështoi.

Greqia nuk do të duhej ta injoronte këtë tragjedi që e ka shkaktuar vet dhe e cila është e dokumentuar shkëlqyeshëm në këtë libër.  Libri “The Cham Albanians of Greece” nuk është vetëm libër i karakterit historik. Ky libër-dokument do të duhej të shërbente jo vetëm për ta kujtuar Greqinë për të keqen që ka bërë por edhe për t’i dhënë rast që të filloj me përmirësimin e gabimit e cila gjë mund të bëhet me lejim për kthimin e çamëve në shtëpitë e tyre apo me kompensim për dëmet që u janë shkaktuar. Në anën tjetër, pas botimit të këtij libri, as shqiptarët dhe qeveritë e tyre nuk do të duhej të vazhdonin me të vjetrën duke vajtuar për impotencën që kanë treguar deri tashti karshi Greqisë.