Rrahim Pacolli, takime me ambasadorin Frank Wisne

Rrahim Pacolli, takime me ambasadorin Frank Wisne

Rrahim Pacolli, ish drejtor i Partisë “Aleanca Kosova e Re”, drejtor i kompanisë së sigurimeve “Siguria” dhe pronar i kompanisë së avokatëve “Arbëresh” në Kosovë, këto ditë po qëndron për vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjatë kësaj vizite ai është takuar me avokatë amerikanë të cilët bashkëpunojnë me kompaninë “Arbëresh” si dhe me përfaqësues të kompanive të tjera në New York.

Të hënën e kaluar në New York ai mori pjesë në një diskutim mbi çështjen shqiptare në Ballkan, të organizuar nga “Columbia University” e të drejtuar nga David Philips, drejtor i Programit të Paqebërjes dhe të Drejtave në “Columbia University”.

Mysafir special në këtë tryezë diskutimesh ishte  ambasadori Frank Wisner, ish përfaqësues special i Amerikës në bisedimet për statusin e Kosovës.

Rrahim Pacolli me këtë rast u takua me ambasadorin Frank Wisner,  z. David Philips, ambasadorin e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, Ferit Hoxha, aktivistin z. Jim Xhema etj.

“Tryeza e organizuar nga Columbia University ishte shumë e suksesshme. Në të u diskutua gjerë e gjatë për sfidat me të cilat ballafaqohet shoqëria shqiptare në Ballkan e posaçërisht të drejtat e mohuara të shqiptarëve që jetojnë jashtë shtetit të Shqipërisë dhe Kosovës”, tha z. Pacolli dhe shtoi se është me rëndësi që ky universitet i njohur, do të organizojë në gusht në Tiranë një konferencë ku do të marrin pjesë figura të shquara shqiptare e amerikane për të diskutuar për problemet me të cilat ballafaqohen shqiptarët në Ballkan.

“Diplomacia e Shqipërisë dhe Kosovës duhet të angazhohet më shumë për të drejtat e shqiptarëve që jetojnë jashtë këtyre shteteve, të drejtat që po u mohohen çdo ditë”, tha z. Pacolli.

Shqipëria, shtoi ai, e ka për obligim të kujdeset për shqiptarët jashtë shtetit, sepse është e obliguar edhe me kushtetutë.

Rrahim Pacolli thotë se ka shumë respekt për rolin që kanë luajtur shqiptarët e Amerikës, si për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, ashtu edhe për pavarësinë e Shqipërisë në fillim të shekullit të kaluar dhe rënien e komunizmit në fillim të viteve 90-të.

“Shqiptarët e Amerikës në çdo kohë kanë qenë të lidhur me atdheun e tyre, pa marrë parasysh se në çfarë gjendje ka qenë ai”, tha ai dhe shtoi se ata duhet të vazhdojnë të jenë aktivë edhe në këtë kohë, sepse Kosova dhe Shqipëria kanë gjithmonë nevojë për ta.

“Me lidhjet e tyre në Washington me senatorë, kongresistë e zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë, ata mund të bëjnë shumë në vazhdimin dhe forcimin e lidhjeve të Amerikës me Kosovën e Shqipërinë, por edhe në avancimin e të drejtave të shqiptarëve që jetojnë jashtë këtyre dy shteteve”, tha ai.

Sipas tij, shqiptarët në Ballkan duhet t’ia bëjnë me dije bashkësisë ndërkombëtare se nëse ajo nuk i ndalë veprimet sllave kundër shqiptarëve, nuk e kanë problem të jetojnë në një shtet të përbashkët. (Illyria).