Arbana Xharra

Arbana Xharra

Me dekada të tëra mbajtën gjallë frymën e lirisë në Kosovë, ushqyen me mijëra familje, ndihmuan Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), madje kontrubuuan edhe personalisht në luftë. Edhe pas përfundimit të luftës, të entuziazmuar, shumë prej tyre u kthyen për të investuar me shpresë se kanë ku të fusin paranë e kursyer për shumë vjet. Ata i mbante vullneti se lirisht dhe pa pengesa do të kontribuojnë në vendin e tyre të lirë. Erdhën të gatshëm të derdhin para të majme, duke mos iu zbehur aspak idealizmi për këtë vend. Por, nuk gjetën atë që kujtuan se do të gjejnë, u injoruan nga kapadainjtë, të cilët vetë kanë qenë dikur azilantë e sot i kanë hipur pushtetit.

Mbaj mend gjatë procesit të privatizimit, se si tërhiqeshin të dëshpëruar nga proceset e blerjes së ndërmarrjeve shoqërore. Më shumë se dhjetë vjet ata pritën me shpresë se dikur do të hapen dyert për ta. U nënçmuan, madje shpeshherë i quajnë “shaci”, duke i përqeshur për mënyrën se si vishen dhe si i ngasin veturat.

Jo vetëm që nuk u krijuan kushte të mira investuese për ta, por u vendosën rregullore për t’i “plaçkitur” qysh para se ata të hyjnë në Kosovë. Nuk ua njohin sigurimet, u kërkojnë sërish të paguajnë në kufi.

Secili person që vjen nga diaspora, në momentin kur me veturë i afrohet kufirit është i obliguar të paguajë policën e sigurimit, edhe nëse ka sigurimin nga ndonjë kompani e njohur botërore nga vendi prej nga vjen. Është vendosur që të mos vlejnë në Kosovë sigurimet e vendeve të tjera, kështu që mesatarisht brenda vitit shiten rreth 150 mijë polica kufitare. Kurse në krye të Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës është vëllai i kryeministrit të Kosovës, Gani Thaçi, duke treguar se gjithçka është sinkronizuar.

Pas kufirit, nëse duan të nxjerrin ndonjë dokument në komunë, ata duhet të presin me orë të tëra përpara sporteleve që u ngjajnë regjimit të Milosheviqit.

Gjithë ky nënçmim për mërgimtarët që i sollën me miliarda euro Kosovës! Sa një e treta e buxhetit të përgjithshëm diaspora kosovare sjell para për një vit. Përderisa vetëm në 6 vjetët e fundit diaspora në Kosovë ka sjellë 3 miliardë euro. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës, në vitin 2010 nga mërgata kanë ardhur mbi 511 milionë euro, një vit më parë, në 2009-tën mbi 505 milionë euro, në vitin 2008 kanë sjellë 535 milionë euro, një vit parapara tij mbi 515 milionë euro, në 2006-tën 467 milionë euro, kurse në vitin 2005 kanë ardhur 418 milionë euro nga diaspora. Dërgesat më të mëdha financiare vijnë nga emigrantët kosovarë në Gjermani, Zvicër, Itali, Slloveni, Suedi, SHBA, Francë, Britani të Madhe, Belgjikë etj.

Edhe Banka Botërore në një raport të saj ka treguar se dërgesat e diasporës vazhdojnë të jenë burimet kryesore të të ardhurave për shumë familje kosovare.

Dhe del një pazar-politikë mes PDK-së dhe AKR-së sa për të ndarë poste mes vete e nxjerr Ministrinë e Diasporës. Formohet ministria pa u ditur qëllimi i saj. U deklaruan se përveç remitencave, po shqyrtojnë mundësinë e krijimit të një ambienti më të mirë, që mërgimtarët të investojnë në Kosovë. Qeveria deklaroi se është e informuar me problemet e diasporës, duke mos qenë në gjendje që të na shpalosë një strategji afatshkurtër të kësaj ministrie.

Ministri Ibrahim Makolli me ardhjen në krye të këtij posti foli për zbritjen e taksës doganore dhe as që e diskutoi heqjen e saj. Zëvendësi i tij tha, ”shpresojmë që ngadalë do të rregullohen gjërat për diasporën”. Deklarata këto qesharake që degradojnë në vazhdimësi dhe nënçmojnë ata që janë duke e mbajtur nën kontroll gjendjen e rëndë sociale në Kosovë.

Shkroi: Arbana Xharra

Zëri – 28.06.2011.