Mërgatës i prezantohet hulumtimi i organizuar nga projekti Diaspora ne Zhvillim

Mërgatës i prezantohet hulumtimi i organizuar nga projekti Diaspora ne Zhvillim

Me 30 mars 2013 në Prishtinë u organizua një tryezë ku organizatave dhe mediave të ndryshme shqiptare në diasporë si dhe mediave të Kosoës iu prezantua hulumtimi “Përmirësimi i komunikimit ndërmjet Kosovës dhe Diasporës” i bërë nga Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës të cilët ishin mandatuar ta bëjnë këtë nga Instituti për Menaxhim dhe Zhvillim – IMD në kuadër të projektit “Diaspora për Zhvillim”.

Arsyeja kyçe e këtij prezantimi dhe studimi ishte që të fuqizohen lidhjet ndërmjet diasporës kosovare dhe Kosovës, në veçanti krijimit të marrëdhënieve më të mira dhe përmirësimit të komunikimit Kosovë-Diasporë, si dhe nxjerrja e rekomandimeve për tu aplikuar në rastin e Kosovës.

Përpos përfaqësuesve nga Diaspora në këtë tryezë kishte edhe përfaqësues nga  Institucionet e Kosovës, Shoqëria civile dhe mediat.

Duke marrë parasysh rëndësinë e Diasporës për zhvillimin socio-ekonomik dhe politik të Kosovës, ky studim ofron një analizë të hollësishme të gjendjes aktuale sa i përket komunikimit dhe informimit institucional ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Diasporë, duke përfshirë edhe informimin përmes medieve dhe formave të tjera.

Në këtë hulumtim thuhet se buxheti i vogël i Ministrisë së Diasporës dhe njerëzit joprofesional në ambasada dhe konsullata nëpër vende të ndryshme, po e vështirësojnë komunikimin e Kosovës me mërgatën.

Imer Mushkolaj nga AGPK-ja tha se ky hulumtim për herë të parë flet për mundësitë e komunikimin me Diasporën dhe hap rrugën për të gjetur mundësitë e përmirësimit të këtij komunikimi, e jo vetëm investimet e diasporës në Kosovë.

Në anën tjetër, Naim Dedushaj, drejtor për përkrahjen e investimeve të diasporës në Ministrinë e Diasporës ka thënë se ky “hulumtim do t’u ndihmojë për finalizimin e strategjisë për diasporën 2013-2018.”

“Ky hulumtim është i një rëndësie të veçantë për Ministrinë e Diasporës dhe mendoj edhe për Kosovën dhe mërgatën në veçanti. Siç e dini Ministria e diasporës është në prezantim e sipër të strategjisë për diasporën dhe mërgatën 2013-2018. Ky hulumtim do të na ndihmojë në ide të reja lidhur me komunikimin me mërgatën, në të gjitha aspektet dhe vënien e urave lidhëse mërgatë-Kosovë”, ka thënë ai.

Ndërsa, Elbasan Morina, nga projekti Diaspora për Zhvillim (DfD) të cilët janë pjesë e realizimit të këtij hulumtimi ka thënë se ky hulumtim ka qenë tejet i nevojshëm, kur dihet që në 18 muajt e fundit ka mungesë shumë të madhe të depërtimit të informacionit nga Kosova në diasporë.

“Sipas analizave që ne i kemi bërë në 18 muajve e fundit vërehet një mungesë shumë e madhe e depërtimit të informacionit nga Kosova në diasporë dhe kjo është një prej temave më shqetësuese për diasporën, sepse kryesisht transmetohen tema të kronikës së zezë, apo jo të sakta dhe nuk pasqyrohet realiteti”, ka thënë ai.

Ndërsa Edona Musa-Mustafa, e cila ka bërë prezantimin e analizës, mes tjerash ka thënë se kohëve të fundit është rritur bashkëpunimi mes institucioneve dhe diasporës por që buxheti i ministrisë së Diasporës është shumë i vogël për të bërë diçka, pra është më pak se 1 për qind e buxhetit total të Kosovës, e që sipas saj, kjo ndikon në mos hartimin dhe mos realizimin e planeve.

Përveç buxhetit, ajo thotë se ka mungesë edhe të stafit adekuat për të lidhur komunikime mes konsullatave me mërgatën tonë.

“Ankesa kryesore, problemi kryesor i tyre është që ambasadat dhe konsulatat nuk po e kryejnë punën e tyre për të cilën janë të thirrura, ngase nuk e kanë një komunikim të duhur. Edhe Ministria e Punëve të Jashtme kanë qenë të ftuar por nuk kanë ardhur”, ka thënë ajo.

Në fund, janë dhënë edhe disa rekomandime dhe konkluzione se si mund të largohen vështirësitë dhe si mund të përmirësohet komunikimi mes Kosovës dhe Diasporës. Ndër të tjera është thënë se duhet bërë ndryshim-plotësimi i ligjit për diasporën, për shërbimin konsullor të Misioneve diplomatike, pastaj krijimi i Bordit këshillëdhënës të diasporës, përkrahja buxhetore për Ministrinë e Diasporës dhe zhvillimi i një strategjie kombëtare për diasporën.

Vegëza:
http://www.telegrafi.com/?id=2&a=30561
http://www.diaspora-ks.org/
http://www.apjk.org/