Notes on Albania concert, London, 16 December 2013

Notes on Albania concert, London, 16 December 2013

Koncerti i mbrëmshëm në Londër, Notes On Albania, ofroi një performancë të shkëlqyer të artistëve shqiptarë: Ermonela Jaho (soprano), Mariela Cingo (piano), Arlinda Morava (soprano), Alma Dizdari (violinë), Eljon Vejsiu (violinë) dhe Brikelda Syla (çello).

Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Londër, në kuadër të veprimtarive të saj për Diplomacinë Kulturore dhe promovimin e vlerave të vendit tonë, organizoi dje, me datën 16 dhjetor 2013, koncertin e titulluar Notes On Abania, që kishte si qëllim t’i sillte audiencës jo vetëm notat muzikore të interpretuara me virtuozitet nga artistët shqiptarë por edhe të tregonte se Shqipëria është një vend evropian dhe që ka tërë potencialin, bukurinë, çarmin dhe aftësinë e njerëzve të saj për të qenë e tillë.

Koncerti u zhvillua, siç ishte njoftuar, në sallën Amaryllis Fleming Concert Hall të Kolegjit Mretëror të Muzikës në Londër. Ai u ndoq nga një audinecë e gjërë prej më se 400 spektatorësh, ku kishte Ambasadorë, diplomatë, lordë, parlamentarë, profesorë universitetesh, muzikologë, antarë të shoqatës Anglo – Shqiptare, biznesmenë, dashamirës anglezë të muzikës, bashkatdhetarë me banim në Britaninë e Madhe etj.

Në qendër të koncertit ishte emri dhe frymëzimi i artistes tashmë me famë botërore Ermonela Jaho ndërsa programi i saj u plotësua me zërin e sopranos tjetër shqiptare e ardhur enkas në Londër nga Bukureshti, Arlinda Morava shoqëruar në piano nga Maestro Petrescu dhe viloniçelistja Klara Bregu, me tingujt e violinës së Alda Dizdarit dhe meloditë e mrekullueshme të luajtura nga Alb – Trio e Londrës e drejtuar nga pianistja Mariela Cingo.

Hapjen e koncertit e bëri prezantuesja Kristale Rama, një vajzë amerikane me prindër shqiptarë nga Tuzi,  ndërsa mirëseardhjen artistëve dhe spektatorëve ua uroi Ambasadori i Shqipërisë në Londër z. Mal Berisha, cili ndër të tjera tha: “Shqipëria sapo ka përkujtuar 101 vjetorin e pavarësisë së saj. Ky koncert mbahet edhe në vijim të këtij përvjetori. Këtë vit ne vendosëm ta festonim këtë datë të shënuar duke organizuar këtë concert, në këtë vend të mrekullueshëm, në Kolegjin prestigjios Mbretëror të Muzikës, një prej shkollave më të mira në botë.

Jam shumë mirënjohës për praninë e përfaqësuesve të organizatave shqiptaro –  britanike duke u ndalur tek kontributi i veçantë i dhënë nga shoqata më e vjetër e ngritur jashtë Shqipërisë që ende ekziston, ajo Anglo – Shqiptare e ngritur në vitin 1912.”

Ky koncert përbën një arritje shumë të madhe për prezantimin e kulturës shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar dhe shënon veprimtarinë e parë në serinë e këtyre aktiviteteve që ambasada do të organizojë me artistët më  të  shquar shqiptarë në vitet që vijnë.

Më shumë informata:
http://www.albanianembassy.co.uk/notes-on-albania-nje-sukses-i-madh-i-artisteve-shqiptare-ne-londer/