Ardian Preci

Ardian Preci

Shqiptarët si një komunitet relativisht i ri në Mbreterinë e Bashkuar (MB), që kanë përafërsisht diku mes 10-15 vjet në këtë vend, janë një shembull i mirë qytetarie dhe dallohen për një progres të mirë. Kemi pasur kënaqësinë të shikojme shoqata të shumta Shqiptare që janë krijuar, për arsye të ndryshme për ti shërbyer komunitetit në forma të ndryshme drejt integrimit dhe ruajtjes së vlerave kombtare, e mbi të gjitha gjuhen. Janë krijuar forume organizatash, gazeta komunitare, e veprimtari të shumta. Tek bën një përshkrim të shkurtër të mësipërmes, të jep një kënaqesi të veqantë të këtij vrulli për mirë që ka pasur komuniteti ynë.

Po ashtu shumë kanë filluar biznese të vogla e të mesme, ku spikatet shpirti entrepreneur i Shqiptarit, kur kushtet dhe infrastruktura e favorizojnë. Duke filluar nga restaurante, kompani ndërtimi, studio ligjore etj. Ku me punë bëhen pjesë e mekanizmit ekonomiko-shoqeror në vendin ku jetojnë, duke bërë tregti, paguar taksa dhe punësuar shumë njerëz.

Në të njëjtën kohë, nga ky komunitet në një rekord te shkurter kohor, kanë mbaruar universitet me qindra apo me mijëra, të rinj. Pjesa më e madhe e këtyre të rinjëve kanë filluar punë në profilet e tyre, dhe shumë prej tyre po korrin sukses në profesionet e tyre.

Është vërtet një arritje komunitare, duke marrë parasysh prejardhjen: nga koha e luftës së Kosovës, dhe 1997 në Shqipëri, ikjet malit, me skafe e maune, të arrijmë në këtë peisazh të bukur ku komuniteti Shqiptar në MB ndodhet.

Por cilin profesion komuniteti ynë nuk e ka sulmuar akoma?

Shqiptarët e kanë zakon siq thotë ajo fabula “ sheh rrushi rrushin dhe piqet”. Një ndër sektorët që Shqiptarët e MB duhet të koncentrojnë energjitë është politika. Të pakten ata që janë të interesuar. Tashmë komuniteti ynë ka mjaft talent brenda brumit të tij të mirë për t’ju sulur politikës dhe për të korrur suksese.

Shumë njerëz mund të aludojnë me mendimin se ne jemi në dhé të huaj, kush merret me këtë punë apo ndonjë skepticizëm tjetër, që me të drejtë lind kur je Shqiptar dhe vjen nga një vend ku: nëse nuk je i pasur e ke të vështirë të merresh me politikë. Në MB është ndryshe, dhe ndryshe për mirë.

E them këtë nga eksperienca përsonale. Në kohen kur Boris Johnson deklaroi se do hidhte kandidaturën për Kryetar bashkie të Londres, i nisur nga simpatia që kisha per Z Johnson dhe bindjet e mija të djathta vendosa ti shkruaj drejtuesve të fushatës së tij duke ofruar kohën time për të ndihmuar. Jam kontaktuar nga një përfaqësues i Londres së Jugut, dhe kjo ishte piknisja ime. Më pas nëpër pjesmarrje në fushata dhe forume lokale, mu ofrua të kandidoj për këshiltar në Brockley, të Komunës së Lewisham. Ishte një kënaqësi të merrja pjesë si kandidat në fushatë, dhe në fund të saj përveq se u kënaqa, mësova një gjë, se nuk qenka aq e vështirë kjo punë. Të gjithë ishin njerëz me ide, me dëshirë dhe vullnet për atë se c’bënin.

Pra për të mos i rënë trumpetës për veten, mendoj dhe e them me bindje se Shqiptarët e MB janë më se të aftë për politikën Britanike, dhe do të jeni të befasuar se sa krahë hapur do jenë partitë politike. Partitë në MB, ndryshe nga vendi ku ne vijmë janë si një motorr i madh me forume dhe me demokraci të madhe, ku ka hyrje dhe dalje të shumta, dhe shanset janë të barabarta për të gjithë.

Së fundmi për ta mbyllur, në Londër, do kemi zgjedhje në 2012. Shqiptarët me pasion për politiken dhe dëshiren për një karrierë politike, tani është koha e duhur për tu hedhur në sulm. Kontaktoni drejtuesit e fushatave të partive që jeni mbështetës, ose zyrat e tyre lokale ku jetoni, dhe nuk do ngelni të zhgënjyer. Nuk ka rëndësi se me çfarë partie bëni pjesë, e rëndësishme është që komuniteti Shqiptar të përfaqësohet në politikën Britanike.

Po e mbyll duke uruar që së shpejti Shqiptarët jo vetem të kandidojnë, por të bëhen lojtarë të rëndësishëm në Politiken Britanike.

Shkroi:
Ardian Preci