Deklaratë e Ambasadës Shqiptare në Londër në lidhje me dëmtimin e bustit të Skënderbeut

Të nderuar bashkatdhetarë,

Para disa javësh, busti i Heroit tonë Gjergj Kastrioti Skënderbeu është prekur nga persona ende të paidentifikuar. Vendosja e bustit të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu në Londër, me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, ka qenë një ndër arritjet më të mëdha të bashkësisë shqiptaro-britanike dhe një ndër veprat që e bëjnë atë më krenar se ndonjë gjë tjetër. Vendosja e bustit është bërë me lejen e Westminster Council,  në përputhje me tërë ligjet, rregullat dhe kriteret e vendosjes së një vepre arti në qytetin e Londrës dhe me koncesusin e banorëve të zonës për rreth. Në të njejtën kohë ai është vënë edhe me miratimin dhe pjesërisht financimin e qeverisë shqiptare në konsultim të ngushtë me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe atë të Kulturës për përmbajtjen e tekstit në pllakën e tij.

Me datën 4 shkurt 2014, në kundërshtim flagrant me ligjet e shtetit britanik për ruajtjen e monumenteve të kulturës dhe vlerave të artit të ekspozuara në publik, si dhe me vendimin e autoriteteve të autorizuara, dikush ka guxuar të vendosë një diçiturë mbi pllakën origjinale. Kjo ka ngjallur një shqetësim shumë serioz sa tek Ambasada Shqiptare në Londër, inisiatore e vendosjes së bustit dhe përfaqësuse e shtetit shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar por edhe tek organet e Policisë Metropolitane të Londrës, veçanërisht asaj të zonës Bayswater dhe pa dyshim shumicën e shqiptarëve që banojnë në Britaninë e Madhe.

Ambasada dëshiron të kujtojë atyre që kanë vënë dorë mbi bustin se tashmë ai është kthyer në trajtën e tij fillestare; se prekja e tij përbën krim dhe se busti është 24 orë në CCTV dhe se për këtë janë njoftuar tërë autoritet përkatëse. Ndërkohë, akti vandal i para disa javëve ështe nën investigimin e autoriteteve londineze dhe pritet që autorët e tij të identifikohen së shpejti.

Ata që kanë vërejtje për shkrimin në pllakën e bustit kanë tërë të drejtën e vet të ushtrojnë privilegjet që u jep demokracia duke e adresuar çështjen me shkrim si në ambasadë dhe/apo institucione të tjera, të demonstrojnë dëshirën e tyre me forma demokratike dhe në asnjë mënyrë të ndërhyjnë pa autorizim.

Ambasada e RSh në Londër falenderon tërë ata patriotë të cilët herë pas here kujdesen për bustin, dërgojnë lule ose fotografohen në raste festash familjare. Por natyrisht, shpreh edhe pakënaqësinë e saj të thellë për akte të tilla vandale. Akte si ky dëmtojnë imazhin e bashkësisë shqiptare në Britaninë e Madhe dhe e bën Westminster Council të rishikojë vendimin për vendosjen e këtij monumenti të kulturës dhe historisë së kombit tone, vendim i ndërmarrë pas një proçesi të gjatë konsultativ me banorët e zonës ku gjëndet busti.

Falemnderit për mirëkuptimin.