Ilustrim i artikullit

Para disa kohësh një miku im vendosi që të kapërcente “gardhin kapitalist” – nga artist në sipërmarrës, nga i punësuar në biznesmen.

Edhe pse ka vite që punon si fotograf për studio dhe agjensi pretigjioze në Britani, tani si pronar i “Pandora Studios” në Londër nuk e kishte të lehtë gjetjen e klientelës. Kështuqë më ofroi si kontratë departamentin e reklamave dhe shitjeve. Duke pasur parasysh termat e kontratës dhe njohurinë time të pakët rreth industrisë fotografike fillimisht hezitova, por më në fund pranova të bëhem kontraktor.

Meqë jetojmë në epokën e Globalizmit dhe njëjësimit virtual, vendosa të filloj me reklama nëpër faqe interneti dhe rrjetet sociale poashtu edhe me përpilimin e një liste klientësh të mundshëm; sepse siç thotë një mike imja: “në Google, mund të gjesh edhe prindër”.

Pas disa ditësh në këtë fushatë njerëzit filluan të telefononin me kërkesa për shërbime të ndryshme: nga foto familjare, portrete nxënësish shkollash, profile aktorësh, promovime tregtare, shfaqje apo evenimente të ndryshme, martesa, portofole modelesh, etj…

Një ndër këto telefonues ishte edhe “Bianka”, italiane (ky është emri që vendosa të përdor për hir të privatësisë saj, jo emri i vërtetë); Bianka na qenkesh “modele”. Bianka me një anglishte pakëz të thyer, por prapëseprapë mbresëlënse (ama kurrsesi me theks Italian), filloi me pyetjet dhe kërkesat e saj; kërkesat m’u dukën disi të pazakonta për një modele të mirëfilltë, por gjithsesi ramë dakord që ajo të vinte në studio.

Kur erdhi i ra ziles, e ftova brenda, i ofrova një gotë shampanjë, i spjegova ofertën dhe shërbimet tona dhe pastaj e lashë me fotografin dhe zonjushën që bënte make-up, në mënyrë që të vendosnin për pozat dhe look-un.

Ndërsa unë po lija recepsionin për të shkuar në zyrën time, “Biankes” i bie celulari dhe ajo përkulet per t’a marrë, aty vërej se Bianka kish një tatuazh te vogël mbas qafe me shkabën dykrenare. Mbasi përgjigjet, ajo çohet në këmbë dhe del në koridor, ku e dëgjoj të diskutojë kohën dhe çmimet me dikë që donte dy femra shoqëruese apo kortezane.

Aty e kuptova se ç’modele ish Bianka!

Ndërkohë që ajo fotografohesh dhe pregatiste make-up i gjithë muhabeti mes saj, fotografit dhe zonjushës që i bënte make-up, pra stafit tonë zhvidhohej në Anglisht.

Ndërsa unë në zyrën time kisha harruar punët e mia dhe po mendonja për fatin e gjithë atyre femrave shqiptare që gjatë njëzet viteve të fundit kanë bërë kaq shumë bujë rrugëve të Europes, bujë jo të mirë për imazhin e Shqiptarëve.

Pas gati dy orësh dal jashtë për të pirë duhan dhe porosis fotografin që të më thërrasë nqs bie telefoni; ndërkaq Bianka thotë: “prit pak të lutem se po dal edhe unë për një cigare”.

Meqë ishte pothuajse nudo hodhi një rrobëdeshan krahëve dhe doli edhe ajo jashtë mbas meje.

I ofroj cigare, por nuk e pranon: “jo s’e i paske të forta”, më thotë.

E pyes nëse është e kënaqur me shërbimin dhe fotografimin; më thotë që s’ka qenë ndonjëherë më e kënaqur. Pastaj ajo më pyet se nga jam, i them se jam Shqiptar; Biankes i ndërron fytyra, skuqet sa pak dhe fillon të qeshë me të madhe…

Unë e shikoj si me habi…

Ajo fillon të flasë shqip dhe më thotë: “si osht kjo punë mer çun që shqipet gjinden m’ç’do qoshe?! Vallahi me t’thonë t’drejten t’a kisha ditë  që jeni Shqiptarë s’kisha ardhur”.

“Pse”, e pyes unë.

“Po ja kshu, s’kom qejf t’merem me shqipe. Manej ku i dihet se me kë njihemi, plus që shqipet kanë ene paragjykime t’mdha për “goca pune”…”

“Jo moj”,  i them,  “mos e kij problem! Ç’më duhet mua se me ç’punë merresh! N’fund t’fundit, punë është edhe ajo si gjithë të tjerat”.

Ndërsa pimë edhe një cigare të dytë dhe bëjmë muhabet ndër të tjera i tregoj se jam Shkodran; ajo më thotë që vjen nga Tirana (por në fakt ajo mund të ishte edhe nga Tetova, Tuzi, Fieri, Ferizaj, Korça, Kukësi apo Kumanova), më rrëfen se ka edhe një vajzë tetë vjeçare dhe më thotë që tanimë s’para punon shumë vetë por më tepër menaxhon një agjensi shoqëruesesh.

Kthehemi brenda, unë i rikthehem punës sime ndërsa ajo vazhdon fotografimin…

Mbasi mbaron fotografimin i ofroj edhe një tjetër gotë shampanjë dhe dalim sërish për cigare.

Aty i them që kam dëshirë t’i bëj njëfarë intervisteje, rreth jetës saj dhe realitetit të shumë shqiptareve që kanë të njëjtin profesion apo që mund të kenë bërë të njëjtën punë me të.

“Jo mer lal”,  më thotë, “t’dukem gjo si Adelina Ismaili una, apo ndonjë VIP tjetër?”

“Jo”,  i them,  “ti i’a kalon edhe Adelines, por unë s’po të pyes meqë je VIP, por sepse mendoj se do të ishte shumë interesante, paraqitja e historisë sate për lexuesit. Pastaj ti vetë më the në fillim që shqipet kanë paragjykime. Plus m’a merr mendja që s’ke pasur një jetë të lehtë; kështuqë mendoj se u’a ke borxh mundimeve tua dhe shqiptareve tjera si ty, poashtu edhe vajzes sate”.

“Po kush t’tha ty që kom vujtë una?!”,  më përgjigjet Bianka.

“Pikërisht pra”,  i them unë,  “njerëzit nuk e dinë aspak se ç’jetë bëni; a është qejf apo vuajtje…”

“Ndërsa përsa i përket borxhit”,  më thotë ajo, “s’i kom borxh askujt, as edhe një kacidhe!”

“Dëgjo”,  i them, “unë s’dua të të vë në siklet, thjeshtë po të kërkoj një favor si Shqiptarë që jemi; seriozisht mendoj që do të ishte shumë e nevojshme për publikun Shqiptar, poashtu e dobishme për të gjithë ato femra që ndër vite janë rropatur nëpër të tilla shtigje”.

“Jo, se kam familje dhe njerëz që m’njohin dhe ata s’dine asgjë se me se merem una”, thotë Bianka.

“Për këtë çështje, s’ke pse brengosesh”,  i them unë, “të premtoj se do t’a bëj artikullin në mënyrë të atillë që  askush mos t’a marrë vesh identitetin tënd. E di ç’farë?! Le t’a bëjmë intervistën, po s’të pëlqeu e lëmë fare…!”

“OK”,  më thotë, “por dua që t’a lexoj para se t’a publikosh dhe t’më premtosh se s’do m’degjenerosh; pastaj nëse bie dakord, mund t’a publikosh”.

“Sigurisht, pra! Mos e çaj kokën”,  i’a kthej unë, “ti do jesh në kontroll total”!

Dhe kështu vendosëm që kur të vinte për të marrë fotot e përpunuara, t’a intervistonja…

Vijon në numrin e ardhshëm…

nga Anton Kaçubaj

Ashtu si u publikua ne:
http://fletorjashqiptaria.com/bardha