Urime Viti i Ri 2012 nga Londra

Urime Viti i Ri 2012 nga Londra

Ky artikull u botua për herë të parë me titullin “Akcioni i cili emocion”.

Shkruesi i këtyre rreshtave është njohës i jetës të bashkë atdhetarëve tanë të cilët emigruan për arsye të njohura, sidomos viteve të ’90, edhe pse ishin në moshë shumë të re ditën t’i rreken punës, disa për tu shkolluar, disa për të punuar, ngase situata ekonomike në Kosovë ishte buzë katastrofës.

Nuk pushuan ndihmat në forma të ndryshme, nuk pushuan kur koha e kërkonte që të ndihmohet rezistenca.

Qëndrimi relativisht i gjatë i një pjese ndikoi që ata të integrohen në të gjitha poret e jetës angleze e sidomos të asaj londineze.

Një grup e ka gjetur formën e takimeve dhe ajo është se çdo të shtune në orën e caktuar takohen në një sallë të sporteve ku zhvillojnë lojë të basketbollit e cila është shëndruar në rivalitet të dy grupeve. Pas lojës sipas traditës së formuar, e vizitojnë një restorant të cilin e mbajnë me shumë sukses bashkë atdhetarët tanë. Në ndejën që e bëjnë për disa orë bisedë kryesore është Kosova. Me një rast mora pjesë edhe unë në aktivitetet e tyre atë të shtune.

Sinqerisht, me sjelljet e tyre, kulturën që e kishin, diturinë të cilën e kishin fituar, pikëpamjet, vizionet për atdheun e tyre më fascinuan dhe në një moment i emocionuar dhe krenar që jam me ta, ju thashë: “O djem për ju ka nevojë të madhe Kosova”!

Këta djem, tani burra të mëdhenj e kanë gjetur edhe një formë që të jenë sa më afër bashkëqytetarëve në Kosovë, në mënyrë vullnetare grumbullojnë para i dërgojnë në Kosovë në adresë të caktuar që për nevojtarë të blihen gjëra ushqimore dhe higjienike. Kësaj here kjo kënaqësi më takoi mua. Arritën 3,000€ me të cilat mjete janë kontraktuar 40 pako, për çdo pako vlera është 75€, këto pako me ndihmën e Kryqit të Kuq të Kosovës do të shpërndahen për 40 familje të minatorëve në Mitrovicë dhe rrethinë.

Mendimi i këtyre djelmoshave, dashuria për popullin e Kosovës, mendoj se vlen më shumë se 3,000 €, besoj se e ndaj mendimin e lexuesve të këtyre rreshtave, që për këta njerëz të shprehet nga zemra një falënderim i madh!

Shkroi: Nexhmedin Behluli

Vegëz:
http://www.facebook.com/groups/basketistat/