Queen Elizabeth II with Mr Mal Berisha the Ambassador of Albania, during a private meeting as he presents his Credentials in Buckingham Palace central London.

Queen Elizabeth II with Mr Mal Berisha the Ambassador of Albania, during a private meeting as he presents his Credentials in Buckingham Palace central London.

Më datën 27 qershor 2013, u zhvillua ceremonia e dorëzimit të Letrave Kredenciale të Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Britaninë e Madhe dhe Irlandën e Veriut, Sh.T. Z. Mal Berisha, Madhërisë së Saj, Mbretëreshës Elizabeth II.

Ambasadori Mal Berisha u prit ngrohtë dhe në mënyrë mjaft miqësore nga Mbretëresha Elizabeth II, në selinë e saj mbretërore, Buckingham Palace. Ambasadori u shoqërua për në takim nga Z. Charles Gray, Marshall i Trupit Diplomatik, të akredituar në Londër, përfaqësues i Mbretëreshës Elizabeth II. Ambasadori dhe stafi i ambasadës u morën nga selia e Ambasadës Shqiptare në një tur me karrocat mbretërore sipas ritualit të Mbretërisë dhe u përcollën nga Pallati Mbretëror tek ndërtesa ku u organizua edhe pritja për nder të kësaj ngjarjeje. I pranishëm në takimin me Mbretëreshën ishte Sir Simon Fraiser, Zv. Ministër dhe Kreu i Shërbimit Diplomatik në Foreign Office.

Në takim u bisedua mbi marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes dy vendeve tona, bashkëpunimin e ngushtë në nivel dypalësh si dhe në aleanca të ngushta në nivel ndërkombëtar.

Ambasadori i Shqipërisë, Z. Mal Berisha i përcolli Madhërisë e Saj përshëndetjet më të ngrohta të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Sh.T Z. Bujar Nishani dhe e falenderoi për ndihmën që qeveria e Saj i ka dhënë Shqipërisë, për ndihmën e dhënë shqiptarëve në Ballkan dhe veçanërisht për ndihmën e dhënë për çlirimin e Kosovës si dhe emigrantëve shqiptarë në vendin e Saj të cilët janë pritur me aq bujari. Biseda u përqëndrua veçanërisht rreth marrëdhënieve shumëdimensionale historike, kulturore dhe ekonomike. Më pas u bisedua për zhvillimet demokratike dhe integrimin europian të Shqipërisë. Z. Berisha u shpreh se shtypi britanik ka qenë shumë pozitiv kur e ka vlerësuar Shqipërinë si vendi i fundit i pazbuluar në Europë.

Ambasadori Mal Berisha shoqërohej në këtë ceremoni nga stafi diplomatik i Ambasadës, për të cilin ishte  rezervuar gjithashtu një takim i shkurtër kortezie me Mbretëreshën Elisabeth II.

Pas takimit me Mbretëreshën Elisabeth II, sipas traditës së Trupit Diplomatik në Londër, Ambasadori Mal Berisha dha një pritje vin d’honneur. Në pritje merrnin pjesë përfaqësues nga Protokolli i Mbretëreshës, Protokolli i Foreign Office, Drejtori për Zgjerimin e BE-së dhe Ballkanin perëndimor, Z. Owen Jenkins dhe diplomatë të tjerë nga Foreign Office që mbulojnë çështjet e integrimit në BE dhe çështjet e Ballkanit, ambasadorë të shumë vendeve mike, përfaqësues të trupit diplomatik në Londër, lordë dhe deputetë të Parlamentit Britanik, përfaqësues të pushtetit lokal në Londër, Presidenti dhe Kryetari i Shoqatës Anglo-Shqiptare, Z. Noel Malcolm dhe Z. Stephen Nash, përfaqësues të komunitetit shqiptar në Londër si dhe miq e dashamirës të Shqipërisë.

Dy të përditshmet britanike The Times dhe Daily Telegraph e kane pasqyruar këtë ngjarje në faqet e tyre rreth veprimtarisë së Pallatit Mbretëror.