Ambasadori Greiçevci dorëzon kredencialet në Irlandë

Ambasadori Greiçevci dorëzon kredencialet në Irlandë

Dablin, 21 maj 2013 – Ambasadori i Kosovës në Londër, Lirim Greiçevci, sot ka dorëzuar letrat kredenciale te Presidenti i Irlandës, Michael D Higgins, me ç’akt u zyrtarizua emërimi i tij ambasador jorezident në këtë vend.

Ceremonia shtetërore në rezidencën presidencale të Irlandës, Áras an Uachtaráin, përfshinte intonimin e himnit të Kosovës nga Orkestra Ushtarake, rivistën e Gardës Ushtarake dhe paraqitjen solemne para presidentit Higgins, gjatë së cilës Ambasadori Greiçevci i përcolli mesazhet e përzemërta të Presidentes Jahjaga për presidentin dhe popullin e Irlandës.

Pas dorëzimit të kredencialeve, Ambasadori Greiçevci pati edhe një takim të veçantë me Presidentin Higgins. Me këtë rast, Ambasadori Greiçevci falënderoi Irlandën për mbështetjen që e ka dhënë dhe po vazhdon ta japë për Kosovën, veçanërisht në procesin e integrimeve evropiane. Ai u zotua se si ambasador jorezident i Kosovës, do të punoj me përkushtim që t’i kultivojë tutje raportet e mira në mes të dy vendeve.

Presidenti Higgins, duke i përcjellur urimet e tij për presidenten Jahjaga dhe popullin e Kosovës, tha se Irlanda do ta përkrahë Kosovën e pavarur në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Ai poashtu përshëndeti marrëveshjen e arritur në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Në kuadër të vizitës së tij në Irlandë, Ambasadori Greiçevci pati takime me zyrtarë të lartë në Minsitrinë e Jashtme të Irlandës, duke përfshirë Sekretarin Gjeneral, David Cooney, dhe drejtoreshën e Departamentit për Evropë, Anne Barrington.

Artikulli origjinal u publikua së pari në:
http://kosovoembassy.org.uk/?page=1,73,80