Ministri i Diasporës, z. Valon Murati, duke folur gjate festimit te pervjetorit te shtate te Pavaresise se Kosoves, ne Parlamentin Britanik

Ministri i Diasporës, z. Valon Murati, duke folur gjate festimit te pervjetorit te shtate te Pavaresise se Kosoves, ne Parlamentin Britanik

Të martën, më 17 shkurt 2015, Ambasada e Kosovës në Londër organizoi një pritje festive në Parlamentin Britanik për të shënuar shtatëvjetorin e pavarësisë së Kosovës. Mysafir i veçantë nga Qeveria e Kosovës ishte Ministri i Diasporës, z. Valon Murati, ndërkaq mysafir nderi ishte Lord George Robertson, ish Sekretar Gjeneral i NATO-së.

Përveç ambasadorëve dhe diplomatëve të shumtë nga kori diplomatik në Mbretëri të Bashkuar, si dhe parlamentarëve britanikë nga të dy Dhomat e Parlamentit, më mesin e pjesëmarrësve pati edhe zyrtarë nga Qeveria Britanike, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe të institucioneve të ndryshme joqeveritare, akademikë dhe pjesëtarë të shquar të komunitetit shqiptar në Britani të Madhe.

Në fillim të pritjes, Ambasadori i Kosovës në Mbretëri të Bashkuar, z. Lirim Greiçevci, falënderoi të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen në kremtën e shtatë të pavarësisë së Kosovës, e cila, siç tha ai, ka bërë hapa të shumtë brenda kësaj periudhe, por edhe ka shumë punë për të bërë për ta zhvilluar mirëqenjen dhe ekonominë e saj.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Ministri Murati, pasi e falënderoi Qeverinë Britanike, Parlamentin dhe popullin britanik për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, tha se ndjehej “i nderuar që po e festonte shtatëvjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës në Parlamentin Britanik, tempullin e demokracisë moderne”.

“Sot, përderisa ne e festojmë Ditën e Pavarësisë së Kosovës, me respekt i kujtojmë të gjithë ata individë mes brezave të ndryshëm të cilët sakrifikuan jetërat e tyre për lirinë tonë, për demokracinë dhe pavarësinë tonë”, tha Ministri Murati duke shtuar se “ka shumë arsye për të festuar arritjet tona, por jemi të vetëdijshëm se na presin edhe shumë sfida – si zhvillimi ekonomik dhe avancimi i Kosovës në arenën ndërkombëtare”.

Ndërkaq, Lord Robertson, pasi e kujtoi intervenimin ushtarak në Kosovë në vitin 1999, në kohën kur ishte Sekretar Gjeneral i NATO-së, deklaroi se që nga atëherë Kosova ka shënuar përparim në konsolidimin e shtetësisë së saj. Megjithatë, testi kryesor i demokracisë është mirëqenja ekonomike sepse “vetëm ekonomia sjell përfundimisht paqen dhe qetësinë.”

Në fund, Ambasadori Greiçevci ngriti një dolli kushtuar pavarësisë së Kosovës dhe miqësisë midis Republikës së Kosovës dhe Britanisë së Madhe.