Puhie Demaku

Puhie Demaku

Edhe unë, sikurse ti, u linda dhe u rrita në një familje patriotike shqiptare në Kosovë.  Edhe unë, sikur ti, në një moshë shumë të re u ballafaqova me atë që moshatarët e mi nga vendet e tjera të botës kishin parë vetëm ne filma ose kishin lexuar vetëm në libra.  Edhe mua dikur më quajtën refugjat!

E kjo shkolla e jetës nëpër të cilën kaluam bashkë, vetëm sa na forcoi. Sa krenare isha që i përkisja një populli që sa më shumë vuante, sa vinte e forcohej. Krijova bindjen që diaspora shqiptare është më e organizuara në mesin e të gjitha të tjerave(me përjashtim të çifutëve!).

Diaspora shqiptare lobonte për një të ardhme me të mirë për Kosovën, influenconte proceset politike, pothuajse çdo javë kishte protesta pranë institucioneve më të larta të BE-së ne Bruksel. Diaspora e luftonte asimilimin, çdo të diele fëmijët shqiptar në diasporë shkonin në “shkollat shqipe”. Diaspora e ruante kulturën me koncerte e orë letrare, me takime e tubime që na e kujtonin se kush jemi e nga vijmë. E kur erdhi puna te armët, edhe aty treguam gatishmëri: u mobilizuam siç na kishte hije, kush sa kishe mundësi!

Unë u binda, ky popull ishte më i fortë se guri – armikut do t’i duheshin shekuj për ta shformësuar e asimiluar.

U binda, ne në diasporë ishim shumë më patriotë, më atdhetar se ata në Kosovë. Kur u ktheva në Prishtinë, e vulosa këtë bindje. O zot, a ishte e mundur që pas tërë torturave që kishte pësuar gjuha ime e dashur shqipe nga barbarizmat e Turqishtes dhe Serbishtes, tani po vuante nga huazimet nga Anglishtja. E pabesueshme! Të rinjtë që tashmë ishin punësuar tek organizatat ndërkombëtare nuk flisnin më për ditë pushimi por për “dej of”(day off), nuk flisnin më për pushim mjekësor por për “sik lliv”(sick leave), nuk flisnin më për ngjyrë të printerit por për “kartrixha” (cartridge), identifikoheshin përmes “ajdisë” (ID – kartelë identifikimi) dhe takoheshin te “ejq kju-ja” (HQ – Selia qendrore). O zot, thash me vete, këta janë po të njëjtit njerëz që diasporën që vjen verës në Kosovë për tu çmallur, e quajnë “shacat!”. Nuk e ditkan këta që më të asimiluar janë këta që jetojnë në Kosovë, se ata në diasporë.

E këtë bindje e ruajta të shenjtë deri në momentin kur qesh ftuar për vizitë te një familje kosovare në Bruksel. Meqë ne ishim mysafir nga Kosova, në shenjë respekti, nikoqiri kishte ftuar edhe ca miq të tij që të na takonin, një cift tjetër që tash e sa vite jetonte në Bruksel. Me të hyrë në derë pala tjetër, e zonja e shtëpisë iu drejtua mysafires: “Uh “saly”(salut! – përshëndetje) , Melihat, “sa va?” (Ça va?- Mirë jeni?). Me ç’rast Melihatja iu përgjigj: “Sa va, sa va!… Sa va burri sa va fëmija…” (Ça va! – Mirë, mirë… mirë burri, mirë fëmijët!). Seç më goditi kjo shqipja e frengjishtizuar si plumb në lule të ballit. O zot, a ishin edhe këta pjesë e po të njëjtës diasporë që unë nisa ta adhuroj?

E vërteta ishte se ishin! Ndërsa e keqja më e madhe ishte se nuk ishin të vetmit.

Jo shumë vite më pas, rastisa të jem në Londër. Takimi im i parë me vëllezërit e motrat nga Kosova ishte mbresëlënës. Vetëm se po të mos e njihja anglishten, nuk do të kisha kuptuar as gjysmën e bisedës.

Personat qe më shoqëronin, po qanin hallet e tyre të jetës në Angli. Njëra kishte problem me “rentën” (rent – qëra) , ndërsa tjetra kishte blerë shtëpi por “morgixhi” (mortgage – kredi) ishte shumë i lartë. Më pas biseda morri kahje tjetër, sepse shoqja e tyre, që tash e sa vite jetonte në Angli, ende s’e kishte marrë “britishin” (nënshtetësinë britaneze) edhe pse burri i sajë ishte alamet djali që punonte shumë në një “kar uosh” (car wash – autolarje) dhe shkonte në punë me “andërgraund” (underground – treni nëntokësor). Sot e kishin pushim ngase ishte “benk hollidej”(bank holiday – festë zyrtare). Më vonë u kujtuan se isha edhe unë aty, dhe mu drejtua njëra: “Sa mirë që nuk i ke këto gajle, nuk e din ti çka është Anglia: sa “rod taksa” (road tax – tatimi rrugor), sa “dajrekt debiti për telefon” (direct debit – pagesa e telefonit përmes llogarisë bankare), sa “billi për internet” (fatura e internetit) mandej edhe “billi i telefonit” (fatura e telefonit)… mandej po duhet me pagu edhe “inshurancën” (insurance – sigurimi) ne fund të mujit s’të mbesin as njëzet “paund” (funtë) në “benk akaunt” (bank account – llogaria bankare)!”

Bisedën e ndërpreu tjetra duke e pyetur shoqen: “Mori, a ke ndi që Linda e ka pasë djalin te “gji pija” (GP – mjeku i përgjithshëm) se ju ka rrëzu prej “kar sitit” (car seat – ulësja e veturës)?”.

Këtu edhe u binda që gjuha shqipe po kalonte nëpër një proces që unë, për hir të lexuesit, do të doja ta quaja “enriçmenti i gjuhës shqipe” apo thënë në standarden e “lashtë” shqipe “pasurimi i gjuhës shqipe”.

Kulmi i kësaj përvoje dhe “enkaunterit”(encounter – ndeshje/takim) tim me procesin e ri ndodhi ne aeroplan për në Prishtinë. Të ulur afër meje ishin 2 pjesëtar të një familje 4 anëtarëshe, shqiptar nga Virginia e SH.B.A-ve: djali 5 vjeç, që mezi i zinte vendi vend dhe nëna e tij, tejet e stresuar nga sjellja e të birit. Kur djali e teproi, dhe nënës i humbi durimi …ajo ulëriti: “Liridonnnnn breeee, ulu qaty edhe qite “sit belltin” (seat belt – rripi i sigurimit! se qëtash vjen “erhostesa” (air hostess – stjuardesa) të kapë për veshi e të qet jashtë për “imërgjësi ekzitit” (emergency exit – dalja emergjente)!”

Në atë çast, më afrohet shqiptari nga Tirana dhe më thotë: “Zonjushë, mund ta lëvizni valixhen pak ngase nuk ka “spacio” për timen!”

E derisa aeroplani po përtokësonte në Prishtinë… bashkë me të përtokësoi edhe krenaria ime, unë hoqa dorë nga bindja ime!

Shkruar në vitin 2008  nga Puhie Demaku