Seksioni i BBC World Service, BBC Shqip, do të mbyllet shumë shpejt. Mbyllja e këtij seksioni është paralajmëruar tash sa kohë por viti 2011 do të njihet si një vit kur ky shërbim edhe do të përfundoj.

Sipas disa informatave të pakonfirmuara ka gjasa që seksioni të mbyllet pas katër javëve të ardhshme.

BBC në shqip filloi punën në vitin 1940 dhe u mbyll në vitin 1967, pastaj u ri-hap në vitin 1993 që të mbyllet në këtë vit. Nëpër këtë seksion kanë kaluar shumë gazetarë që tash janë fytyra të njohura publike në botën e politikës dhe gazetarisë si: Veton Surroi, Adi Krasta dhe Sokol Balla. Gazetarët veteranë që punuan që nga viti 1993 dhe që ende janë aktivë janë vëllezërit Faik dhe Ragip Luta.

BBC në shqip shkroi: “kjo është pjesë e reagimit të tij ndaj shkurtimit në financimin e tij në formë Granti nga Ministria e Jashtme (Foreign & Commonëealth Office) e Mbretërisë së Bashkuar.”

Drejtori i Lajmeve Globale të BBC-së Peter Horrocks tha: “Këto mbyllje nuk janë pasqyrim i punës së shërbimeve apo programeve individuale. Ato janë jashtëzakonisht shumë të rëndësishme për audiencat e tyre dhe për BBC-në.

“Kjo ndodh thjesht sepse duhet të bëhen kursime për shkak të shkallës së shkurtimeve në financimin nga Granti për Shërbimin Botëror të BBC-së nga Ministria e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar dhe ne duhet të përqëndrojmë përpjekjet tona në gjuhët ku ekziston nevoja më e madhe dhe ku ne kemi ndikimin më të madh.”

Lidhje:
http://www.bbc.co.uk/albanian/