Detektivë privatë ishin punësuar që të filmonin një grup të punëtorëve kosovarë pasi që ishin përzënë nga puna, shkruhet në contractjournal.com.

Të gjashtë punëtorët tash po padisnin kompaninë FM Conway që i përzuri nga puna që kishte të bëjë me mirëmbajtjen e rrugëve në Islington, Londër veriore.

Punëtorët ishin filmuar kur ishin duke punuar dhe ishin përcjell nga detektivët e Conway-it pas përzënies nga puna duke u munduar që të dëshmonin se ata ende po punonin edhe pse kishin qitur kërkesën për rrogat e pa paguara.

Avokati i punëtorëve kosovarë, Damian McCarthy, i tha tribunalit industrial në Holborn: “Sjellja e Conway-it që të incizonin këta njerëz ishte një akt i paarsyeshëm dhe ndërhyrje në jetën private”

Tribunali dëgjoi se Conway kishin thënë se këta punëtorë ishin përzënë nga puna sepse ishin punëtorë të ngadalshëm dhe se kishin intimiduar mbikëqyrësit.

Kompania gjithashtu akuzoi të të gjashtët për “zhvatje” në tentimet e tyre që të nxjerrin pagesë nga firma.

McCarthy tha: “Akuzat për sharje, kërcënime fizike dhe se mbikëqyrësit qenkan frikësuar nga këta njerëz aspak nuk janë të vërteta. Ata asnjëherë nuk ishin disiplinuar për ndonjërën nga këto akuza. Negociimi i kushteve për pagesë nuk mund të shihet si një zhvatje.”

Në tribunal u tha se këta njerëz ishin paguar në mes të £250 dhe £360 në javë dhe se ata po kërkojnë tetë muaj pagesë që nga koha e përzënies nga puna.

Conway dyshuan se ata ndoshta kanë filluar të punojë gjëkundi dhe paguan detektivë privatë që t’i përcillnin.

McCarthy tha: “Kasetat e incizuara (nga detektivët) janë qesharake dhe ne i përdorëm ato si evidencë. Njëra kasetë tenton të paraqes njërin nga mbrojtësit duke punuar prapa banakut. Klienti im është muskulor dhe pa flokë. Njeriu në kasetë ka bark të trashë dhe plot flokë në kokë.”

Ky rast në tribunal mbaroi pas dy javësh dëgjimi dhe vendimi me shkrim do t’i dërgohet punëtorëve shqiptarë më vonë gjatë këtij muaji.