PRESIDENTJA E KOSOVËS DEKOROI RITA ORËN ME TITULLIN ‘AMBASADORE NDERI E KOSOVËS’

PRESIDENTJA E KOSOVËS DEKOROI RITA ORËN ME TITULLIN ‘AMBASADORE NDERI E KOSOVËS’

Dje, më 10 korrik 2015, në pritjen e organizuar nga Ambasada e Kosovës në Londër, Presidentja e Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, e dekoroi Rita Orën me titullin ’Ambasadore Nderi e Kosovës’. Në ceremoni morri pjesë edhe ish kryeministri britanik Tony Blair dhe bashkëshortja e tij Cherie Blair, zëvendësministri i jashtëm i Kosovës, Petrit Selimi, dhe ambasadori britanik në Kosovë Ruairi O’Connell.

Në mesin e ambasadorëve të shumtë dhe diplomatëve të akredituar në Londër, zyrtarëve nga qeveria britanike, akademikë dhe gazetarë nga mediat britanike, të pranishëm ishin edhe personalitete të shquara si ish shefi i NATO-së Lord Robertson, akademiku Sir Noel Malcolm, ambasadori britanik në OKB, Matthew Rycroft, ambasadori i Shqipërisë, Mal Berisha, ambasadori i Vatikanit në Mbretëri të Bashkuar, Nunci Apostolik Antonio Mennini etj. Në pritje pati edhe përfaqësuesë të komunitetit shqiptar në Mbretëri të Bashkuar.

Rita Ores i dalin lotet pasi degjon fjalet e Presidentes Atifete Jahjaga

Rita Ores i dalin lotet pasi degjon fjalet e Presidentes Atifete Jahjaga.

Në fjalen e tij të hapjes, Ambasadori Greiçevci, pas foli disa fjalë të shkurtëra për Rita Orën, fillimisht i dha fjalën Tony Blair-it: “i cili pesë vite më parë, në po të njëjtën ditë, u mirëprit si hero në Kosovë”.

“Tony Blair, së bashku me liderët e tij miq të NATO-së, u rreshtua në anën e drejtësisë dhe humanizmit duke i shpëtuar dy milionë shqiptarë të Kosovës nga spastrimi etnik dhe tentim gjenocidi. Pa veprimet dhe vendimet e tij në vitin 1999, Kosova nuk do të bëhej e lirë, e pavarur dhe shumëetnike, siç është sot.”

Ish kryeministri Blair, u drejtua me këto fjalë: “Falemnderit shumë zotëri Ambasador, falemnderit zonja Presidente dhe Rita. Është nder dhe kënaqësi të jem sot këtu, në shtëpinë e shtetit të pavarur të Kosovës”.

Ndërkaq, pasi i kujtoi ngjarjet e të së kaluarës, Blair theksoi se tani duhet të mendojmë për të ardhëmen, jo vetëm për pavarësinë, por për një vend ku rinia mund t’i arrijë potencialet e veta”.

Duke iu drejtuar Rita Orës, ai tha: “Gjatë karrierës sime kam takuar shumë yje, por shumë pak prej tyre më kanë mbetur në mbresë. Rita është e mençur dhe me zemër!”

Presidentja e Kosovës, duke ia dhënë dekorimin Ritës, ndër të tjera u shprehë: “Rita, ti përfaqëson tërë atë që ne jemi si komb. Çfarë ne kemi kaluar dhe çfarë ne mund të arrijmë kur të na jepet mundësia. Përtej talentit dhe suksesit tënd, që na bën të gjithëve krenarë, ne jemi shumë mirënjohës se je një vajzë e Kosovës, e cila është krenare për rrënjët e saj. Ti je ura më e mirë ndërmjet Kosovës, vendit ku je lindur, dhe Britanisë, vendit që tani e quan shtëpi.”

Rita Ora, e emocionuar, e falënderoi Presidenten Jahjaga për titullin e dhënë. “Unë në jetën time asnjëherë se kam paramenduar se ndonjëherë do të bëhem ambasadore e nderit. Do ta mbaj këtë titull me krenari dhe përgjegjësi”.

Pas ceremonisë së dorëzimit të titullit të nderit, të pranishmit pastaj patën rastin të shkëmbejnë biseda me Ritën, Presidenten, ish kryeministrin Blair dhe me personalitete tjera të veçuara.