noel_malcolm

Dr. Noel Malcolm është ndër intelektualët sipëror botëror. Është shkolluar në Eton College dhe në Universitetin e Cambridge-it, ku ka doktoruar për histori politike në Trinity College. Malcom ka qenë redaktor ne The Spectator dhe në Daily Telegraph. Nga viti 2002 është hulumtues i lartë në All Souls College të Universitetit të Oxford-it.

Malcolm është autor i këtyre veprave: Bosnia: A Short History , Origins of English Nonsense, Kosovo: A Short History, Aspects of Hobbes, dhe veprave tjera e punimeve të shumta akademike. Në fushën akademike njihet si ekspert i veprave dhe jetë së filozofit Thomas Hobbes. Malcolm në Ballkan por edhe në botë u bë i njohur pas botimit të dy veprave: Bosnja: Një Histori e Shkurtë dhe Kosova: Një histori e Shkurtë.

Noel Malcolm, në intervistën ekskluzive për Zërin, flet për rastin e Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, situatën politike në Kosovë dhe politikën ndërkombëtare rreth saj, Unionin Evropian dhe Bosnjën. Ai gjithashtu flet për filozofin anglez Thomas Hobbes për të cilin Dr. Malcolm cilësohet si eksperti më i lartë. Dr. Malcolm shpreh edhe mendimin e tij në lidhje me Oliver Schmitt-in dhe reagimet kundër librit të tij për Skenderbeun.

Zëri: Z. Malcolm, para disa ditësh në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, u hap një procedurë në mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas juve, çka dëshiron Serbia të arrijë me këtë pasi që procedura u nis me kërkesën e saj?

Noel Malcolm: Mua më duket shumë e çuditshme pasi që nuk shihet se çka dëshiron Serbia në të vërtetë të arrijë me kërkesën e saj në Hagë. Natyrisht që ajo dëshiron që gjykata të thotë se Deklarata e Pavarësisë është ilegale. Por, mënyra se si e kanë bërë pyetjen është shumë e çuditshme për arsye se pyetja është nëse Deklarata për Pavarësi është ilegale sipas të drejtës ndërkombëtare. Po them e çuditshme për arsye se deklarata si e tillë nuk është çështje e të drejtës ndërkombëtare.

Sikur ta kishin bërë pyetjen nëse njohja e Kosovës është në pajtim me të drejtën ndërkombëtare, atëherë kjo do të ishte më e arsyeshme për shkak se e drejta ndërkombëtare ka parime që merren me njohjen e shteteve. Mua më duket paradoksale poenta e Serbisë pasi që ajo thotë se Kosova është pjesë e brendshme e saj, dhe kërkon nga gjykatësit ndërkombëtarë ta komentojnë këtë fakt. Duke e bërë këtë, serbët do të pranonin se kjo çështje është ndërkombëtare dhe kjo është fakti që ata e mohojnë. Prandaj, unë mendoj se ata e kanë parashtruar pyetjen në formë të gabuar. Përgjigja e gjykatës, sipas të gjitha gjasave do të jetë neutrale e cila në fakt do të thotë se nuk është punë e kësaj gjykata të vendos për këso çështje. Natyrisht që gjykatësit do të thonë më shumë për këtë duke shtuar edhe çështje tjera nga e kaluara që sjellë situatën deri te njohja e përgjithshme. Serbia, në çështjet taktike, shpesh është treguar e mençur në menaxhimin e çështjes së Kosovës. Por, në këtë rast Serbia është treguar e plogësht.

Zëri: Mos, ndoshta Serbia ka dashur ta bëjë me qëllim këtë gabim?

Malcolm: Kam menduar për këtë mënyrë pasi që ata në zemër e dinë se dikur do të duhet ta njohin Kosovën kështu që do të jetë më lehtë për ta të thonë se i kanë pranuar të gjitha mënyrat për mbajtjen e Kosovës në Serbi . Pastaj do të thonë se edhe gjykata ndërkombëtare ka vërtetuar se pavarësimi i Kosovës është në rregull dhe tani më nuk kemi ç’të bëjmë. Nuk është e pamundur që dikush në politikën e jashtme të Serbisë të ketë ndonjë lloj plani B që do të përfshinte këtë. Por, unë nuk besoj se kjo ishte arsyeja primare për manovrimin e shkuarjes në gjykatë. Unë vërtetë mendoj se Serbia ka nevojë të ketë ndonjë “gjykim” që do të thoshte se çështja e pavarësisë është kundër të drejtës ndërkombëtare.

Zëri: Të supozojmë, për shkak të debatit, se gjykata do të nxjerrë vendim këshillues në favor të Serbisë. A do të ishte e mundshme që në këtë rast Serbia të provojë anulimin e njohjeve duke e bindur ndonjë shtet që ka njohur Kosovën, siç ka bërë Maroku me njohjet e Saharasë Perëndimore?

Malcolm: Unë besoj se kjo nuk do të jetë e mundshme në rastin e Kosovës. Së pari duhet pasur parasysh se gjykata do të lëshoj mendim këshillues e jo vendim nga pikëpamja ligjore. Këto mendime të gjykatës nuk kanë aspak fuqi obliguese, kështu që shtetet mund të injorojnë çfarëdo që të jetë i mendimi këshillues.

E dyta, në rastin e Kosovës kemi shtetet më të rëndësishme të botës Perëndimore që kanë njohur Kosovën dhe që janë përkushtuar në pavarësimin e saj. Këto shtetet ishin kryesoret në Evropë dhe botë që njohën Kosovën në valën e parë të njohjeve që pasoi menjëherë pas shpalljes së pavarësisë. Është e pabesueshme të imagjinosh një skenar që do t’i ndryshonte vendimet e SHBA-së, Kanadasë, Britanisë së Madhe, Japonisë, etj.
Duhet të mos harrojmë se nuk ka alternativë të arsyeshme ndaj kësaj.

Dhe e treta, Serbia kurrë nuk ka vënë përpara ndonjë propozim real apo plan për mbajtjen e Kosovës brenda Serbisë. Serbia ka folur me terme të mjegullta për një farë autonomie dhe asnjë shtet në botë nuk do të mund të thotë se Kosova duhet të kthehet në Serbi për shkak të opsioneve apo alternativave më të mira që ka ofruar Serbia.

Intervistoi: Daut Dauti

I tërë artikulli mund të lexohet këtu:
http://www.kokaj.net/forum/showthread.php?p=9097&posted=1#post9097