Flamuri britanik i shkyer

Shkroi Chris Patten

Nata e së enjtes thuhet se shënon një pikë kulmore për ata që bënë fushatë për të dalë nga Bashkimi Europian dhe për ta kthyer Britaninë pas në shekullin e njëzet e një. Mbi këtë, së paku ne mund të biem dakord. Siç shkroi Cicero në një rast: “Çfarë dite e keqe dhe e palumtur që ishte.”

Vendimi për të dalë nga BE do të dominojë jetën kombëtare të Britanisë për dekadën e ardhëshme, e ndoshta më gjatë. Dikush mund të debatojë përmasat e sakta të tronditjes ekonomike – qofshin afatshkurtra apo afatgjata – por është e vështirë të imagjinosh ndonjë rrethanë në të cilën Mbretëria e Bashkuar nuk bëhet më e varfër dhe më pak e rëndësishme në botë. Shumë prej atyre që u nxitën të votonin për “pavarësinë” e tyre do të zbulojnë se, në vend që të fitojnë lirinë, ata kanë humbur vendin e punës.

Pra, pse ndodhi kjo?

E para, referendumi redukton kompleksitetin në një thjeshtëzim absurd. Rrëmuja e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe sovranitetit të përbashkët që përfaqësohej nga anëtarësia e Britanisë në BE u përkthye në një seri pretendimesh dhe premtimesh mashtruese. Popullit britanik iu tha se nuk do të kishte çmim ekonomik për t’u paguar për dajlen dhe as humbje për ata sektorë të shoqërisë që kanë përfituar nga Europa. Votuesve iu premtuan marrëveshje të leverdisshme tregtare me Europën (tregu më i madh i Britanisë), më pak emigrantë dhe më shumë para për Shërbimin Shëndetësor Kombëtar si dhe shërbime të tjera publike. Mbi të gjitha, Britania, u tha, do të rifitojë “mojo”-n e vet, gjallërinë krijuese që nevojitet për të goditur botën si stuhi.

Një nga tmerret që pritet të vijnë është zhgënjimi në rritje i mbështetësve të daljes pasi të gjitha gënjeshtrat fillojnë të ekspozohen. Votuesve u tha se ata do të mund “të rimerrnin vendin e tyre”. Unë nuk besoj se atyre do t’u pëlqejë vendi që po rimarrin.

Një arsye e dytë për katastrofën është fragmentarizimi i dy partive kryesore politike të Britanisë. Për shumë vite, ndjenjat anti-europiane kanë gërryer autoritetin e udhëheqësve konservatorë. Për më tepër, çfarëdolloj ideje disipline apo besnikërie partiake është rrëzuar shumë vite më parë, ndërsa numri i mbështetësve konservatorë të angazhuar ka rënë me shpejtësi. Më keq ka ndodhur te Partia Laburiste, mbështetësit tradicionalë të së cilës kanë ofruar bazë nxitëse për shumë vota për dalje nga BE-ja në shumë zona të klasës punëtore.

Me Brexit ne tani po shohim populizmin e stilit të Donald Trump në Britani. Dukshëm, ka armiqësi të gjithëpërhapur, të fshehur pas populizmit, ndaj çdokujt që konsiderohet anëtar i “estabilishmentit”. Aktivistët e Brexit si Sekretari i Drejtësisë Michael Gove hodhi poshtë çdo argument ekspertësh si pjesë e një konspiracioni të atyre që kanë ndaj atyre që nuk kanë. Kështu, pavarësisht nëse eksperti qe guvernatori i Bankës së Anglisë, Kryepeshkopi i Katenburit apo Presidenti i Shteteve të Bashkuara, këshilla e tyre nuk vlente për asgjë. Që të gjithë u portretizuan si përfaqësues të një bote tjetër, që nuk ka lidhje me jetët e qytetarëve të zakonshëm britanikë.

Kjo na shpie te një arsye e tretë për shkaqet e votës pro-Brexit: pabarazia shoqërore në rritje ka kontribuar në një revoltë kundër asaj që perceptohet si elita metropolitane. Anglia e vjetër industriale, në qytetet si Sunderland dhe Mançester, votoi kundër asaj që votoi Londra. Globalizimi, iu tha këtyre votuesve, është në të mirë të vetëm të pasurve – të cilët punojnë rehat me pjesën tjetër të botës – në dëm të të gjithë të tjerëve.

Përtej këtyre arsyeve, nuk ndihmon shumë fakti që për shumë vite askush nuk e ka mbrojtur me rigorozitet anëtarësinë e Britanisë në BE. Kjo krijoi një vakum, që lejoi një diluzion dhe mashtrim që hodhi poshtë të gjitha përfitimet e bashkëpunimit Europian dhe krijoi mendimin se britanikët janë bërë skllevër të Brukselit.

Votuesit pro-brexit u ushqyen me koncepte aluçinante mbi sovranitetin, duke i shtyrë ata të zgjidhnin pantonimën pavarësi përballë interesit kombëtar. Por që të qahesh vazhdimisht për këtë nuk ndihmon shumë. Në këto rrethana të zymta, palët duhet të përpiqen në mënyrë të ndershme të sigurojnë atë që është më mirë për Mbretërinë e Bashkuar. Ka që shpresojnë se ata që mbështetën Brexit kishin së paku përgjysmë të drejtë, sado e vështirë që të duket kjo për t’u menduar. Në çdo rast, njeriu duhet të bëjë atë që mundet me ato që ka mundësi.

Gjithsesi, tri sfida imediate të vijnë ndër mend.

E para, tashmë që David Cameron ka bërë të qartë dëshirën për të dhënë dorëheqjen, krahu i djathtë i Partisë Konservatore dhe disa anëtarë më të hidhur do të dominojnë qeverinë e re. Cameron nuk kishte çfarë të bënte. Ai nuk mund të shkonte në Bruksel për llogari të kolegëve që i futën thikën pas shpine për të negociuar diçka që ai nuk e mbështeti. Nëse pasardhësi i tij është një nga udhëheqësit e Brexit, Britania mund të shohë përpara në kohën kur do të udhëhiqet nga dikush që ka dhjetë vjet që përhap gënjeshtra.

E dyta, lidhjet që mbajnë bashkë Mbretërinë e Bashkuar – në veçanti Skocinë dhe Irlandën e Veriut, të cilat votuan për të qëndruar në Europë – do të vihen nën presion të lartë sërish. Unë shpresoj që revolta Brexit nuk do të sjellë në mënyrë të pashmangshme votim për shpërbërjen e Mbretërisë së Bashkuar por kjo është diçka që mund të ndodhë.

E treta, Britania do të duhet të fillojë negoxiatat për daljen e saj shumë shpejt. Është e vështirë të shihet se si mund të përfundojë Britania me një marrëdhënie më të mirë me BE-në nga ajo që ka sot. Të gjithë britanikët do të kenë punë për të bindur miqtë e vet nëpër botë se ata nuk kanë luajtur mendësh dhe nuk e kanë humbur logjikën.

Fushata e referendumit rigjallëroi politikën nacionaliste, e cila në fund përfundon gjithmonë duke folur mbi racën, imigrimin dhe komplotet botërore. Një detyrë që kemi ne të gjithë në kampin pro Europës është që të përpiqemi të luftojmë forcat që çliroi Brexit dhe që të ritheksojmë ato lloj vlerash që në të shkuarën na kanë dhënë kaq shumë miq dhe admirues nëpër botë.

E gjitha kjo filloi në vitet 1940 me vizionin e Winston Churchill për Europën. Mënyra se si do të përfundojë mund të përshkruhet më së miri me një nga aforizmat më të famshme të Churchill: “Telashi me vetëvrasjen politike është se ty të duhet të jetosh pas saj e të bëhesh pishman.”

Në fakt, shumë votues të daljes mund të mos jetojnë mjaftueshëm për t’u bërë pishman. Por të rinjtë britanikë që votuan në masë për të mbetur pjesë e Europës me siguri që do ta vuajnë

Përkthyer nga Project Syndicate, 2016. (Project Syndicate: A British Tragedy in One Act)