Siç ka njoftuar para 10 dite agjencia telegrafike ATS, diaspora shqiptare ka vendosur që çmimin “Diaspora” t`ia dorëzojë ministres së Punëve të Jashtme të Zvicrës, Micheline Calmy Rey.

Në vazhdim agjencia zvicerane ka shkruar se “e dhëna se Micheline Calmy-Rey që në vitin 2005 ishte deklaruar për herë të parë për një Kosovë të pavarur, pati nxitur pakënaqësi jo vetëm në Serbi. Edhe në Zvicër, pozicionimi i saj i hershëm u prit pjesërisht me rezervë.

Kur Kosova më 17 shkurt 2008 përfundimisht e shpalli pavarësinë e saj nga Serbia, Qeveria Federale e Zvicrës, fill pas një muaji me kërkesë të Calmy-Rey, e njohu atë si shtet, gjë që edhe një herë acaroi Serbinë…”.

Tash, diaspora, gjegjësisht ambasada e Kosovës në Bernë, pas Gazetës kombëtares “Bota sot” ka vendosur të falënderojë Calmy-Rey për angazhimin e saj duke i dhuruar asaj Çmimin “Diaspora”. Çmimi, të cilin Ambasada Kosovare do t’ia jap këtë vit, asaj do t`i dorëzohet më 21 dhjetor të këtij viti.

Do përkujtuar se në vitin 2005 kur Berna zyrtare për herë të parë ishte prononcuar për pavarësinë e Kosovës në KS të OKB-së (nga ambasadori i saj Peter Maurer) gazeta kombëtare “Bota sot” e kishte shpallur “Personalitete të vitit 2006”. Shpërblimin ja kishte dhuruar redaktori ynë Nefail Malqi në Bernë. Clmy-Rey ka falënderuar gazetën tonë me fjalët se “jam mirënjohëse për këtë shpërblim nga gazeta e juaj për rolin tim dhe angazhimin e vendit tim në Kosovë para, gjatë dhe pas lufte deri tek pavarësia…”.

Bashkë me mirënjohjen znj. Clamy-Rey ju patën dhuruar edhe disa ekzemplarë të gazetës kombëtare “Bota sot” ku në shkrimet e saja, gazeta kishte justifikuar me dëshmi dhe fakte për meritat e misionit të shefes së diplomacisë helvetike në Kosovë. Madje gazeta disa herë ka pas alarmuar, duke ftuar institucionet e Kosovës për një shpërblim me karakter shtetëror për znj.Calmy-Rey të cilën e ka merituar më herët / B.S