Dy javë më heret, disa aktivistë të komunitetit shqiptar të Londrës Veriore së bashku me emisionin Radar të Radio Dukagjinit, ia arritën që për një mbrëmje, të organizuar në pabin Queens Arms të Londrës, të mbledhin rreth 9000 euro për 30 familje të varfëra të Kosovës, si dhe ia arritën të sigurojnë donatorë të cilët do të vazhdojnë t’i ndihmojnë këtyre familjeve për gjashtë muajt e ardhshëm.

Nga të varfërit që u ndihmuan nga ky aksion është edhe familja e të vejës Ilmije Berisha, nga fshati Ramoc, komuna e Gjakovës. Asaj burrin ia vranë serbët gjatë luftës së fundit në Kosovë, i cili ishte mësimdhënës për 20 vite dhe kishte kontribuar për UÇKnë. Ajo ka mbetur me 5 fëmijë, dhe tash 17 vite kërkon lemoshë.

Ilmija falenderon mërgimtarët për ndihmat, për kontributin e tyre në 3%-in e para luftës, në fondin “Vendëlindja Thërret” gjatë luftës, dhe vazhdimësinë e ndihmës së tyre për Kosovën.

Ajo ndër të tjera tha për mërgimtarët: “Si vijnë ata në Kosovë? Kush del ata t’i presë? Me çfarë kushte i presim na mërgimtarët? Ata na kanë mbajtur, përndryshe sot do të kërkonim ushqim nëpër koshe plehërash për kafshatën e gojës. Faleminderit për këtë iniciativë, mërgimtaret janë heronjtë e Kosovës!”