Zac Goldsmith duke folur me  rivalin e tij Sadiq Khan

Zac Goldsmith duke folur me rivalin e tij Sadiq Khan

Shkroi: Daut Dauti

Fushata parazgjedhore për pozitën e të parit të Londrës nuk ka qenë më interesante që nga viti 2000, kur është krijuar pozita e kryebashkiakut. Për zgjedhjet e Asamblesë së Londrës dhe kryebashkiakut të saj që do të mbahen me 5 maj ekziston një interesim i madh nga banorët e kryeqytetit britanik. Për pozitën e kryebashkiakut garojnë disa kandidatë, por vetëm dy janë kryesorë: Sadiq Khan dhe Zac Goldsmith. Beteja për Londrën nuk shihet vetëm si pjesë e luftës politike ndërmjet laburistëve (majtistë), të cilëve u takon Sadiq Khan, dhe konservatorëve (të djathtëve) me kandidatin Zac Goldsmith. Në fakt, beteja ka nuanca të gjëra të një lufte që bëhet për shumë arsye dhe në shumë fronte.

Lufta mes Khanit dhe Goldsmithit përfshinë edhe qëndrimin e britanikëve në relacion me Unionin Europian. Deri më tani është vërejtur se fushata ka sjellë edhe antagonizma të tjera që dalin nga lufta e klasave, çështja e emigrantëve, punëtorëve të huaj, etj. Në mesin e antagonizmave, për herë të parë, është vërejtur edhe çështja e përkatësisë religjioze. Khan dhe Goldsmith, në garën e tyre, vazhdojnë të përplasen në këto pika pa ndërprerë, por me kujdes.

Sadiq Khan është djalë i një shoferi të autobusëve, por që u bë avokat i njohur dhe aktivist i hershëm i Partisë Laburiste dhe anëtar i parlamentit britanik. Ngritja e tij në një njeri të vyeshëm për shoqërinë britanike është tregim i suksesit që kanë shënuar emigrantët në shoqërinë liberale dhe tolerante. Khan u bë i njohur në botë në vitin 2002 kur në gjykatat britanike paraqiti rastin e heqjes së ndalesës që kishte Louis Farrakhan, përfaqësues i Nation of Islam, për hyrje në Britani të Madhe. Khan ka qenë ministër i Komuniteteve dhe Qeverisjes Lokale dhe më vonë edhe ministër i transportit në qeverinë e Tony Blairit. Pasi që Khan rrjedhë nga një familje emigrantësh nga Pakistani, kjo origjinë i sjellë përparësi, por edhe pengesa. Përparësitë qëndrojnë në përkrahjen që ai duhet ta ketë te shtresa e mesme dhe klasa punëtore britanike që janë votuesit tradicional laburistë. Pengesë mund të jetë religjioni i tij pasi që kohëve të fundit në disa shtresa të shoqërisë britanike, feja të cilës i takon Khani, nuk shihet me sy të mirë. Në taborin e Goldsmithit është potencuar ky fakt, por Khan nuk është kundërpërgjigjur në këtë pikë. Megjithatë, nuk do të jetë i vogël numri i votuesve londinezë të cilët luftën për Londrën do ta shohin edhe si konflikt të një myslimani (Khanit) kundër Goldsmithit, një njeriu me origjinë hebraiko-gjermane, për të zëvendësuar Boris Johnsonin, një të krishterë me origjinë myslimano-turke.

Në një qytet kozmopolitan me mbi 10 milionë banorë ka shumë gjasa që këto dallime të mos kenë rëndësi të madhe. Nëse është kështu, atëherë, Khan ka përparësi. Sipas statistikave të fundit del që Londra është e banuar me mbi 40 për qind të popullsisë që nuk kanë lindur në këtë kryeqytet. Nuk dihet numri i saktë i votuesve të kësaj përqindjeje, por sado që të jetë ai, vota e kësaj kategorie duhet të përfundojë në kutitë e Khan-it. Po ashtu dihet që në Londër jetojnë dhe punojnë mbi 500 mijë njerëz nga Europa Lindore, të cilët janë shtetas të Unionit Europian. Ky fakt e ka shtyrë Khan-in që t’i joshë këta njerëz për të dalë në votime duke u premtuar se ideja e tij për përkrahjen e Unionit Europian është në favor të tyre pasi që do t’u lejohet qëndrimi i mëtejmë në Londër dhe në Britaninë e Madhe. Khan gëzon edhe përkrahjen e plotë të liderit laburist, Jeremy Corbynit, por kjo ende nuk dihet nëse është përparësi apo pengesë.

Zac Goldsmith është anëtar i parlamentit britanik, por biografia e tij mund të përmblidhet me pak rreshta. Ai nuk ka përgatitje universitare, as ndonjë eksperiencë me udhëheqje të organeve publike apo shtetërore siç ka Khan. Megjithatë, Goldsmith është rritur si djalë i një miliarderi të madh dhe të njohur në Britani të Madhe. Ai ka përkrahjen e pushtetit të tanishëm të Londrës, pra të Boris Johnsonit, por edhe të pushtetit qendror, qeverisë britanike që udhëhiqet nga konservatorët e David Cameroonit. Një gjë e tillë ka domethënie të madhe pasi që Johnson dhe Cameroon kanë shënuar suksese në fushën e ekonomisë, mirëqenies dhe sigurisë së Londrës dhe Britanisë së Madhe. Këto suksese mund të shihen si reflektime pozitive në personalitetin e Goldsmithit.

Qëndrimi ndaj Unionit Europian që kanë këta dy garues duket se do të jetë shumë i rëndësishëm, ndoshta vendimtar, për zgjedhjen e tyre në pozitën e kryebashkiakut. Goldsmith është përkrahës i fushatës «Brexit» të Boris Johnsonit që kërkon dalje të plotë nga Unioni Europian. Ky qëndrim e ka vënë Goldsmithin në kundërshtim me qëndrimin e qeverisë së Cameroonit që insiston se Britania e Madhe duhet të mbetet në Unionin Europian, por me një status më të favorshëm se që ka sot. Ky fakt ka vënë në pah se Goldsmith nuk i ka të siguruara të gjitha votat e konservatorëve. Rezultati i zgjedhjeve të Londrës mund të merret si indikacion edhe për rezultatin e referendumit të 23 qershorit kur britanikët do të vendosin nëse do të vazhdojnë të qëndrojnë apo largohen nga Unioni Europian.

Khan dhe Goldsmith janë zënë fytafyt shpesh edhe në mediat sociale dhe kryesisht rreth çështjeve shëndetësore, transportit publik dhe kushteve të banimit në kryeqytet. Goldsmith pretendon të vazhdojë traditën e qeverisjes së Boris Johnsonit duke premtuar se nuk do të lejojë ngritjen e taksave komunale (Council Tax), do ta ndihmojë me fonde shërbimin e transportit të metrosë (Underground) dhe çdo vit do të ndërtojë 50 mijë banesa komunale duke e ruajtur zonën e gjelbër. Të njëjtën gjë ka premtuar edhe Khan duke pretenduar se do ta vazhdojë traditën e Ken Livingstoneit, kryebashkiakut laburist që shërbeu para Boris Johnsonit. Por numri i banesave të ndërtuara nga Khani është paralajmëruar se do të jetë 80 mijë në vit.

Nga debati i tyre në Facebook është vështirë të shihet fituesi. Khan dhe Goldsmith kanë më pak se nga 80 mijë «shokë», shumica përkrahës të tyre, por kjo nuk duket se tregon pasqyrën e vërtetë të përkrahjes dhe zhvillimit të debatit. Deri më tani interesimi në mediat sociale ka qenë i ulët kundruall rëndësisë së garës që zhvillojnë këta dy kundërshtarë për pushtetin e kryeqytetit më të fuqishëm në botë sa i përket potencës ekonomike.

Mediat kryesore kanë treguar interesim dhe maturi të madhe për garën, por edhe nga këtu është vështirë të konkludohet se cili nga kandidatët është në përparësi. Sipas të gjitha gjasave përparësia do të sqarohet me afrimin e ditës së zgjedhjeve që është 5 maji 2016.