Maria Bitova, një shqiptare tjetër e cila e drejton biblotekën dhe Muzeun Shqiptarë të Etnologjisë në Zhovtneve

Maria Bitova, një shqiptare tjetër e cila e drejton biblotekën dhe Muzeun Shqiptarë të Etnologjisë në Zhovtneve

Në Odessa të Ukrainës është një fshat që quhet Zhovtneve i cili u themelua kryesisht nga shqiptarët para 200 viteve kur ata kërkuan strehim këtu nga persekutimi në Perandorinë Otomane, dhe atyre ju dha tokë në Ukrainën jugore nga perandoresha Ruse e asaj kohe, Yekaterina II.

Banorët e këtij fshati kanë afërsi më shumë ndaj Moskës sa sa Kievit, dhe ankthi i tyre po rritet dita-ditës ashtu si po përkeqësohen marrëdhëniet ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës.

Gjysma e 2,800 banorëve të Zhovtneve janë shqiptarë. Ata kryesisht jetojnë në bregun lindor të lumit Karasulak. Bregu tjetër është i populluar kryesisht me gagauzë, grup etnik turkik të cilët kanë krahinë autonome në Moldovë, menjëherë përtej kufirit nga këtu. Ky fshat përbëhet nga 11 grupe etnike, përfshi moldovas, rusë dhe bellorusë.

Në shikim të parë duke si çdo fshat tjetër në regjionin e Odesës. Por një shikim më i kujdesshëm zbulon shtëpi të cilat janë më të përzgjatura, të përforcuara më një varg të shtyllave në njërën anë. Këto janë shtëpi tradicionale banimi shqiptare. Ato i ngjajnë një vargu të gjatë të dhomave, të rradhitura njëra pas tjetrës.

“Ka dallime të mëdha kulturore në mes të Ukrainës perëndimore dhe asaj jugore,” tha Piotr Kirpik, njëri nga banorët e këtij fshati, i cili është gjysmë shqiptar dhe gjysmë gagauz.

Kirpiku beson se Ukraina duhet të mbesë e bashkuar brenda kufijëve të tanishëm, por ai gjithashtu mendon se ideja e federalizimit ka kuptim. Megjithatë, federalizimi për te dhe banorët e tjerë lokal nënkupton më shumë autonomi për regjionin, përzgjedhjen e autoriteteve lokale dhe më shumë kontroll mbi buxhetin e komunitetit.

Ukrainasit dinë pak për komunitetin shqiptar i cili është i rëndësishëm në Odesa. Gjithashtu të njohur me emër tjetër, Arnautët, ata ia dhanë emrin e tyre dy rrugëve në Odesa, Arnautska e Madhe dhe e Vogël. Në Ukrainë jetonin vetëm rreth 3,000 shqiptarë sipas regjistrimit të fundit të përgjithshëm të popullatës së Ukrainës të bërë në vitin 2001. Shumica e tyre jetojnë në regjionin e Odesës.

Eksperti politik i cili jeton në Odesa, Artem Filipenko, tha se minoritetet kombëtare të këtij regjioni tradicionalisht kanë qenë më shumë pro-rusë.

Maria Bitova, një shqiptare tjetër e cila e drejton biblotekën dhe Muzeun Shqiptarë të Etnologjisë në Zhovtneve, tregon enët për zierjen e brindëzës, një lloj djathi shtëpiak i bërë nga qumështi i deleve, gërshërë për qethje të deleve, këpucë barinjësh dhe bustin e bronztë të Skenderbeut, heroit kombëtar shqiptar.

Bitova tha se fëmijët e fshatit kënaqen kur vizitojnë muzeun sepse vetëm këtu kanë rastin të flasin shqip. “Në nuk mbajmë në mend shumë fjalë të cilat stërgjyshërit tonë i dinin”, tha ajo.

Kirpik tha se gjuha shqipe ka evoluar, por komuniteti lokal e ka ruajtur variantin të cilin stërgjyshërit e sollën në Ukrainë. “Kështu që kur njerëzit nga Shqipëria erdhën për të parën herë që të na vizitojnë ne nuk u kuptuam aspak, por më vonë i gjetëm fjalët e përbashkëta,” tha ai.

Svitlan dhe Dmytro Stasko janë Ukrainasë, por ata se bashku me pesë fëmijët e tyre jetojnë në njërën nga shtëpitë më të vjetra shqiptare që kanë mbetur në fshat. Svitlana Statsko erdhi këtu kur ishte nëntë vjeçe. “Është kënaqësi të jetosh këtu në mesin e shqiptarëve, ata janë të arsyeshëm dhe njerëz punëtorë,” tha ajo.

Në kullotën e gjelbërt në anën gagauze të fshatit, Piotr Radugove po ruan një kope të madhe të deleve, 12 dhi dhe një dem. Ai tha se e tërë kjo kope i takon banorëve të një rruge të vetme që jetojnë aty. “Kopeja e shqiptarëve është në tjetrën anë,” tha ai duke treguar në drejtim të deleve përtej lumit. Gati secila familje në Zhovtneve mbanë bagëti.

Brengat do të lihen anash gjatë festës së madhe të quajtur Kurban, që festohet nga ky komunitet me 6 maj. Edhe pse ata u konvertuan në krishterizëm para qindra vjetëve, shqiptarët, bullgarët dhe gagauzët gjithashtu festojnë disa tradita para-krishtere dhe sakrifikojnë qengja çdo pranëverë.

“Njerëzit i qesin tavolinat në rrugë dhe të gjithë fqinjët i hanë së bashku qengjat e sakrifikuar dhe festojnë këtë festë të madhe deri në mëngjesin e nesërm,” tha Kirpiku. “Kjo është edhe një gjë që na bashkon këtu.”

Burimi:
http://www.kyivpost.com/content/ukraine/pastoral-life-of-ethnic-communities-in-odessa-region-streaked-with-anxiety-over-relations-with-russia-344179.html