Gazetat lokale britanike vazhdojnë të shkruajnë rreth 10 vjetorit të luftës së Kosovës dhe për refugjatët, ku disa prej tyre përfunduan në Britani. Dy ditë me radhë gazeta North-West Evening Mail publikoi artikuj në lidhje me këtë temë në formë të reportazheve speciale.

Reportazhi i parë iu kushtua Donika Begajt (37) e cila është me prejardhje nga Prishtina dhe ishte përzënë me dhunë nga shtëpia e saj deri sa ishte shtatzënë, duke lënë prapa burrin dhe prindit e saj, duke mos ditur se a do t’i shihte prapë.

Ajo tash punon në Cumbria Multicultural Service në Barrow të Anglisë dhe shpjegon: “Unë kurrë nuk vendosa që të iki, edhe pse ju dëgjonit për familje të vrara dhe të kidnapuara për çdo ditë. Në fund nuk kisha zgjedhje. Ishte një ditë normale, isha gjashtë muaj shtatzënë me fëmijën tim të parë dhe kolona e kerreve po lëshonte qytetin – ishte për gratë dhe për ata që kishin nevojë për ndihmë mjekësore.

“Unë nuk isha kontrolluar asnjëherë gjatë shtatzënisë sime dhe më thanë që duhej të shkoja. Nuk pata shansin që t’i tregoj familjes sime. Unë thjeshtë ika me një çantë. Meshkujt nuk ishin të lejuar të bashkëngjiteshin, kështu që mu desh të linja burrin tim Asdrenin prapa. Mendova se ishte një mundësi e madhe që kurrë më nuk do ta shihja dhe do të më duhej të rrisja fëmijën vetë.”

Kolona e kerreve udhëtoj për dy orë deri në kufi me Maqedoninë, dhe Donika me refugjatët e tjerë ia arritën të dalin në këtë shtet dhe të kërkojnë strehim.

Fatmirësisht vetëm dy javë pasi që ajo kaloj kufirin në Maqedoni, burri i Donikës gjithashtu ia arriti që të ikte nga Prishtina dhe të takoj gruan në Shkup. Nga aty ata u regjistruan që të emigrojnë në Britani dhe që atëherë janë këtu.

Në reportazhin tjetër u shkrua rreth rastit të Gazmend Bogiqit i cili ishte qitur me dhunë nga shtëpia e tij në Kosovën qendrore nga paramilitarët dhe i kishin thënë se do ta pushkatonin. Edhe pse kjo eksperiencë ishte e tmerrshme tha ai: ” I vetmi mendim që më shkonte në mendje ishte shpresa se nuk do të më pushkatonin para familjes sime – gruaja, nëna dhe fëmijët të gjithë ishin në shtëpi, duke shikuar.”

Fatmirësisht paramilitarët ndërruan mendjen në momentin e fundit. Ai shpjegon: “Personi të cilin e quanin komandant tha se unë mund të ‘blija’ jetën time prapa. Ata morën të gjitha stolitë e gruas dhe nënës dhe pakë para që na kishin mbetur. Ata i morën dhe ikën.”

Ai tha: “Unë kurrë nuk do të marr vesh pse më lëshuan. Unë isha fatlumë. Gjatë asaj kohe ata po vrisnin të gjithë meshkujt e moshës së luftës.”

Ishte prilli i vitit 1999 dhe Gazmend Bogiqi (47) së bashku me gruan, fëmijë dhe nënën jetonin në Drenicë, në Kosovën qendrore.

Pas incidentit me grupin e parë të paramilitarëve erdhi grupi tjetër të cilët poashtu kërkuan para. Ata nuk kishin asgjë pasi që të gjitha ja kishin dhënë grupit të parë.

“Ata thanë ‘Ju duhet të ikni pra. Ju jeni shqiptarë, kthehuni në Shqipëri’. I kishin futur në autobus dhe i kishin transportuar në Maqedoni. Rrugës Gazmendi kujton të kishte parë shtëpitë e djegura dhe trupat e pajetë të viktimave shqiptare që ishin masakruar nga paramilitarët serbë.

Ata qëndruan në një kamp refugjatësh në Maqedoni për një muaj, para se të dërgoheshin në Angli – në grupin e 250 refugjatëve kosovarë të cilët u sollën në regjionin Cumbria të Anglisë.

Lidhëza:
http://www.nwemail.co.uk/news/ulverston/ulverston_family_fled_war_zone___special_report_1_569125?referrerPath=home
http://www.nwemail.co.uk/news/soldiers_said_we_ll_shot_you_1_569122?referrerPath=news/business