Pas më shumë se tre vite e gjysmë në Londër, si përfaqësues i Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar, Zt Mal Berisha mbrëmë në Regent University të Londrës, organizoi një takim lamtumirës dhe falenderues me bashkëatdhetarët, miqtë, shokët, drejtuesit e shoqatave, aktivistët, kolegët diplomatë të Ambasadës, për ndihmën që i kanë dhënë për përmbushjen me sukses të kësaj detyre të nderuar.

Gjithashtu mbrëmë u bë promovimi i dy librave të tij kushtuar Bashkësisë Shqiptaro-Britanike:
– REALITETE SHQIPTARO – BRITANIKE – Histori, Diplomaci, Kulturë…
– 1358 DITË NË LONDËR – Kronikë e Veprimtarive Diplomatike të Ambasadës në Londër

Nëpërmjet projektorit u shfaqën: kronika e veprimtarive të Ambasadës Shqiptare në 1358 ditë; ekspozita fotografike e veprimtarive të Ambasadës në bashkëpunim me shoqatat shqiptare, e tëra kjo shoqëruar me numra muzikorë të intepretuar nga artistë shqiptarë me banim në Londër. Më vonë pati diskutime të lira rreth librave dhe autorit dhe mbrëmja përfundoi me një koktej.