Instalacioni i Alketa Xhafa Mripës, në rrugët e Londrës

Instalacioni i Alketa Xhafa Mripës, në rrugët e Londrës

Instalacioni artistik i Alketa Xhafa Mripës, nën titullin “Refugees Welcome” do të nisë udhëtimin e tij.

Me 17 shtator në formën e një vagoni ose kamioni, puna artistike e asaj që dikur solli fustanet në Stadiumin e Prishtinës, tani do të rrugëtojë nëpër rrugët e Londrës.
“Është një instalacion inovativ që do të ftojë publikun të ulen në pjesën e pasme të kamionit për të ndarë eksperiencat dhe reflektimin e tyre mbi temën e refugjatëve, në një demonstrim solidariteti me refugjatët” tregon artistja Alketa Xhafa Mripa.

“Ka kaluar një vit pas fotografisë së Aylan Kurdit, fëmija që vdiq nga pamundësia për të kaluar detin. Vepra ime synon një marshim të madh në Londër” tregon më pas Alketa.

Instalacioni ka të bëjë me një kauzë tjetër, kësaj radhe me refugjatët. “Refugees Welcome” tenton të shqyrtojë solidaritetin ndaj refugjatëve në Angli në vitet 90-të, diçka që vetë artistja e ka përjetuar, duke nxjerrë paralele me realitetin, shkruan KultPlus.

Nëse po bëjmë sa duhet sot për refugjatët e Sirisë dhe shteteve në luftë, është dilema e punës më të re nga Alketa.

“Refugees Welcome do të bëhet një kamion emocional me vetë forcën për jetë, duke u zhvilluar gjatë rrugëtimit nëpër tërë shtetin. Refugjatët shpesh arrijnë në destinacion pa gjësende, pa fotografi, pa kujtim mbi të kaluarën, vetëm me tregime. Do të ishte mirë që instalacioni të shërbente si vend i sigurt për të ndarë këto tregime” përfundon artistja.

E lindur në Pejë, Alketa Xhafa Mripa, pas përfundimit të shkollës së mesme shkoi në Londër, ku dhe ka studiuar për Arte të Bukura dhe Histori të Artit. Shumë ekspozita të saj janë shfaqur në Florence, Londër, Slloveni etj.

Puna u shfaq disa javë më parë në British Museum në Londër, një muze e hapësirë që mes tjerash ekspozon edhe punët që lidhen me historinë njerëzore.

Ky artikull per here te pare u publikua ketu:
http://www.kultplus.com/?id=4&l=16368