Prof. T. Scarlett Epstein, OBE (1922 - 2014)

Prof. T. Scarlett Epstein, OBE (1922 – 2014)

Profesor T. Scarlett Epstein ndërroi jetë me datën 27 Prill 2014, në moshën 92- vjeçare duke lënë pas kujtime shumë të vyera ndër të cilat nga më interesantet ato për Shqipërinë.

E njoha atë në ditët e para të punës time në Londër, kur kolegia ime diplomate, zonja Teuta Starova më njoftoi se Prof. Epstein dëshironte të më takonte dhe të njihej me mua. Kështu ndodhi. Ajo ishte një zonjë hebreje austriake e lindur dhe e rritur në Vjenë deri në moshën 16- vjeçe dhe e shpëtuar në Shqipëri ne vitet 1938 – 1939. I prirur për të ditur sa më shumë rreth historisë së hebrejve, e prita me shumë kënaqësi. Me pas, me Prof. Epsteinin na lidhi një miqësi e fortë. Ajo ishte një zonjë shumë e dashur për Shqipërinë dhe shqiptarët. Me modestinë e njeriut të madh ajo më “mori për dore” në një udhëtim rrëfimtar të një jete që vërtetë impresionon çdokend që ka sado pak ndjesi njerëzore dhe dëshirë për të njohur e mësuar. Ajo kishte një karrierë të gjatë akademike dhe kërkimore si ekonomiste dhe antropologe, autore e 14 librave, shume artikujve dhe filmave dokumentarë. Ajo ishte nderuar me shumë çmime e tituj mes të cilëve titulli OBE (Urdhëri i Perandorisë Britanike) akorduar në vitin 2004. Takimi i fundit me të në Shkurt 2014 në Shtëpinë e Pleqve në Brighton mbetet i paharruar.

“Të notosh kundër rrjedhës”

Një ditë ajo më dhuroi një libër që kishte botuar rreth jetës së vet me titull:“Të notosh kundër rrjedhës” . Ky libër gjëndet në bibliotekën time, dhe mban një përkushtim të shkruar me dorë nga autorja: “Shenjë e vogël e një admirimi të madh” Scarlett.”

Rrëfimi i saj në atë libër të le pa frymë pothuajse në çdo faqe të tij. Dhe unë mendova se bazuar në atë rrëfim të sinqertë e dramatik të Profesor Epsteinit të bëja të njohur historinë e saj që është e lidhur me ne shqiptarët, pikërisht në këtë ditë kur ajo u nda nga jeta. Ky libër i botuar në gjuhën angleze në vitin 2005 në Londër përmban historinë e një jete të vështirë dhe përcjell një mesazh të fortë: ”Unë jam gjallë falë bujarisë shqiptare”!

Prof. T. Scarlett Epstein jetoi 92 vjet. Krejt e thinjur, timide, trupvogël ajo banonte në qytetin bregdetar Brighton të Britanisë së Madhe. Ajo gjëndej përherë e pranishme mes nesh sa herë që bëheshin veprimtari të Ambasadës Shqiptare në Londër. Atë e gjeje aty ku flitej për Shqipërinë, aty ku tregohej historia e hebrejve dhe Hollokaustit dhe mbrojtja që atyre iu kanë bërë shqiptarët në ditët më të vështira të historisë së tyre. E gjeje në shkolla, në universitete, në biblioteka, festivale filmi, takime të rëndësishme ndërkombëtare apo sinagoga. E gjeje në Uashington DC apo Nju Jork në mes shqiptarëve, në Universitetin e Vjenës apo në Parlamentin Europian në Bruksel, në Kembrixh apo Oksford por edhe në Tiranë. Dhe kudo, ajo përcillte këtë mesazh: ”Unë jam gjallë falë bujarisë shqiptare”!

Historia e saj është një histori tejet e dhimbshme, si shumë të tilla për hebrejtë, por me një fund të lumtur. Ajo ngjet me historinë e thuajse tremijë hebrejve që shpëtuan në Shqipëri.

Anschluss – Vjenë – Zagreb

Prof. T. Scarlett Epstein, ishte lindur në korrik të vitit 1922 me emrin Trude Grünwald. Ajo bashkë me prindërit dhe vëllezërit e saj u vu në shënjestër të nazistëve në atë periudhë të njohur si Anschluss ose aneksim i Austrisë prej Gjermanisë naziste i cili ndodhi me 12 Mars 1938,. Përndjekjet ndaj tyre ishin të përafërta me ato që zbatoheshin ndaj hebrejve në Gjermani. Kështu, si shumë familjeve të tjera, edhe familjes Epstein, tani më me emra të ndërruar, iu desh të linte Vjenën drejt një vendi më të sigurtë. Vajza e re 16 -vjeçare, e cila vazhdonte gjimnazin me plot endrra për të ardhmen, u ballafaqua me alternativën, jetë a vdekje. Kështu ajo e mori në dorë jo vetëm fatin e vet por edhe të prindërve të saj. Ajo arriti të siguronte viza hyrje në Jugosllavi dhe me ndihmën e xhaxhait që ishte një industrialist i madh, ata u vendosën në Zagreb. Por pas tre muajsh vizat e tyre skadonin dhe duhej të largoheshin nga Jugosllavia ose të dëboheshin me dhunë drejt vendit të origjinës. E vetmja rrugëdalje ishte të sigurohej ndonjë vizë për ndonjë vend jashtë influencës së gjermanëve. Ky vend doli të ishte Shqipëria.

Mbreti Zog dhe hebrejtë

Vajza e re troket në dyert e shumë konsullatave të cilat gjendeshin në atë kohë në Zagreb por të gjitha i mbyllen me forcë përpara syve sapo ajo tregonte pashaportën e saj me germën “J” të damkosur në të nga nazistët. Në këto rrethana, xhaxhai i saj i thotë se ka një shpëtim: është Shqipëria. Një hebre tjetër i cili bënte tregëti me Shqipërinë i kishte thënë atij se Shqipëria kishte një agjensi tregtare në Zagreb e cila kryente edhe veprime konsullore dhe i priste hebrejtë bujarisht. Sipas xhaxhait, Shqipëria festonte një përvjetor të saj dhe Mbreti Zog kishte dhënë urdhër që të jipeshin viza hyrje turistike, madje edhe për hebrejtë. Krejt çfarë dinte ajo vajzë nga mësimet e gjeografisë dhe historisë për Shqipërinë ishte se ishte një vend i cili shtrihej në vijën bregdetare të Adriatikut dhe kufizohej me Jugosllavinë dhe Greqinë. Tani familja hebraike kishte tre zgjidhje: të fshihej nëpër Jugosllavi dhe të priste fatin e zi të dëbimit në Austri; të kthehej në Austri vetë dhe të përfundonte në ndonjë kamp përqëndrimi nazist, ose të shkonte në një vend të panjohur, në Shqipëri. Ajo arriti t’i bindte prindërit dhe vetëm tre ditë para skadimit të vizës trokiti në dyert e asaj zyre shqiptare. Konsulli shqiptar e priti atë me respekt dhe përkundër faktit që ajo i tregon se ishin hebre në kërkim me pashaporta me germën “J”, ai i pajisi me viza. Ata menjëherë morën rrugën për në Split prej ku zunë një anije që do t’i zbarkonte në Durrës. Në nisje ata u përcillen prej shumë hebrejve të cilët ishin zënë në kurthin e tmerrit nazist. Me ata njerëz ajo nuk do të shihej më kurrë, pasi nuk i mbijetuan terrorit nazist.

Durrës – 20 Nëntor 1938.

Në këtë datë ata arrijnë në Durrës. Pasi zbarkojnë, priten nga dy hebrej gjermanë të cilët e kishin gjetur që më parë Shqipërinë si strehën e tyre mbrojtëse dhe jetonin në qytet. Ata i shoqërojnë dhe i vendosin në hotelin Metropol afër portit detar. Përshkrimi i saj rreth gjëndjes së këtij hoteli nuk lë vend për ndonjë kënaqësi por pritja e shqiptarëve ndaj kësaj familje në dëshpërim të plotë të bën të ndjehesh krenar. Ajo e përshkruan Durrësin e asaj kohe si një qytet me popullsi të përzier muslimane dhe ortodokse, që jetonin në paqe. Pas disa javësh qëndrim në hotelin Metropol, familjes i ofrohet mundësia të qëndronte në një një farë kompleksi i cili ishte dhënë nga bashkia. Aty gjendeshin hebrej me shtetësi të ndryshme të cilët tmerri nazist i kishte bashkuar në fatin e tyre. Ky kompleks banimi financohej nga Komiteti Ndërkombëtar Amerikan Hebraik i Ndihmave, natyrisht me pëlqimin e qeverisë së Mbretërisë Shqiptare.

Jeta në Durrës – Nëntor 1938 – 20 Prill 1939

Nevoja për të mbijetuar e mëson njeriun më shumë se gjithçka tjetër në jetë sepse vlera e jetës dyfishohet pikërisht atëherë kur ajo bëhet e pasigurtë. Kështu Scarlett Epstein fillon të kërkojë punë dhe arrin të gjejë nxënës që dëshironin të mësonin gjermanisht. Ndër to ishin dy vajza, bijat e familjes Dovana, një nga familjet më të njohura në Durrës. Me këtë familje ajo krijon një lidhje të fortë miqësore që ka vazhduar deri sot që ajo ka vdekur. Sipas ligjit shqiptar, refugjatët nuk lejoheshin të punonin. Megjithatë ajo, falë miqësisë së mënjëherëshme që ndërton me shqiptarët ia del të bëhet mësuese edhe pse ishte ende aq re. Familja e saj trajtohet me një dashuri të veçantë jo vetëm nga banorët e thjeshtë të qytetit por edhe nga prefekti i Durrësit. Episodet e jetës së Scarlett Epstein në Durrës janë të gjitha aq piktoreske dhe interesante, por ajo çfarë mbetet në kujtesën e njeriut është se sa herë ajo i rrëfënte qoftë në audienca, qoftë në biseda private apo edhe në librin e saj, është dashuria që ajo përjetoi në atë qytet, për të cilën ishte aq mirënjohëse. “Shqipëria më shpëtoi jetën” ishte kryefjala e çdo rrëfimi të saj Megjithatë, ky nuk mund të ishte një vend me një të ardhme për hebrejtë e mësuar me tregti dhe profesione të tjera. Me dy vëllëzër në Britani, Oton dhe Kurtin ajo vendos të përpiqet të bashkojë familjen pikërisht atje. Kështu arrin të sigurojë viza për vete dhe nënën e saj, por jo dhe për babain. Vizat do të skadonin me datën 30 prill 1939. Ndërkohë ndodh ajo të cilën Epstein e përjeton dhe e përshkruan si një dëshmitare okulare me detajet e mëposhtme:

Dëshmitare e pushtimit fashist Italian – 7 prill 1939

Epstein tregon në librin e saj se mëngjezi i së premtës së mire, 7 prill 1939 u gdhi në Durrës bashkë me anijet që kishin filluar të dukeshin mizëri në brigjet e qytetit. Banorët e qendrës ku ishin strehuar refugjatët hebrej ishin udhëzuar të largoheshin dhe të hynin thellë në territorin e vendit pasi qendra e tyre ishte pranë policisë e cila kishte dy mitraloza. Ky do të ishte edhe objektivi kryesor i italianëve që do të thoshte se mund të dëmtonte seriozisht banorët e qendrës. Në qytet gjendeshin vetëm disa ushtarë të ushtrisë shqiptare. Hebrejtë vendosën të futeshin në qilarin e një shtëpie pranë komunës. Luftimet vazhdonin dhe ndjeheshin të shtënat. Hebrejtë prisnin çfarë do të ndodhte me ta dhe si do silleshin italianët?! Scarlett nuk e dinte nëse edhe italianët ishin anti-semitistë po aq sa ishin gjermanët. Hebrejtë vendosën të largoheshin duke marrë me vete vetëm gjërat me të lehta të mundshme. U larguan nëpër një fushë ku plumbat iu shkonin sipër kokës, për tu strehuar më pas në një shtëpi ku mundën të arrinin. Shkëmbimi i zjarrit midis forcave italiane dhe atyre shqiptare zgjati disa orë. Ajo dëshmon se kishte parë njerëz të vrarë dhe të mbetur në rrugë.

Përballë pushtuesit Italian – miku i armikut bëhet mik i hebrejve

Pas pak grupi i hebrejve u ballafaqua me italianët. Me bajonetat e armëve të hapura, ata iu dhanë udhër të ndalonin. Në krye të turmës ishte vajza Scarlett, jo vetëm për guximin, por edhe se ishte e vetmja qe fliste italisht. Ajo iu tha italianëve se ne jemi gjermanë. Italianët menjëherë iu kthyen atyre me dashamirësi duke iu thënë: “Gjermanët dhe italianët janë miq” pa e vënë re faktin që si hebrej që ishin, ata ishin armiqtë më të mëdhënj të Hitlerit i cili po i ndiqte këmba -këmbës. Ajo i shpjegoi komandantit italian se ata kishin dalë nga shtëpia nga frika e sulmit italian, por tani dëshironin të ktheheshin përsëri atje. Italiani i siguroi se meqë ishin gjermanë konsideroheshin miq ndaj do t’ju garantonin mbrojtje duke nderuar kështu marrdhëniet që ekzistonin midis dy vendeve. Kështu, sado që të duket si një shaka, ata u vunë nën kujdesin italian dhe u kthyen ne shtëpi, pa menduar se kë po mbronin ata realisht në këtë situatë. Me këtë premtim ata nuk po kuptonin nëse italianët ishin aty për ti mbrojtur apo për t’i ndëshkuar. Ajo e tregonte jo pa humor faktin që aleatët e Hitlerit, armikut më të madh të hebrejve, u bënë mbrojtës të tyre.
Pushtimi u krye të nesërmen e së Premtes së mirë dhe italianët vijuan drejt Tiranës. Hebrejtë mbetën në Durrës ndërsa Scarlett merr një letër nga prefekti i Durrësit, ish-konsulli italian që tashmë ishte bërë prefekt i pushtuesit. Ai i kërkonte asaj të vazhdonte t’i jepte mësim në gjuhën gjermane siç kishte bërë edhe më parë. Ai i premtonte se përsa kohë të ishte ai në atë detyrë asgjë nuk do të ndodhte me ta nga ushtria italiane. Vite më vonë ajo interesohet të mësoje për fatin e Luigi Aloisit pikërisht këtij konsulli që me veprën e tij kishte sfiduar jo pa rrezik racizmin fashist Italian.

Largimi nga Shqipëria

Kur rrjedhja e ngjarjeve mori drejtim tjetër, Scarlett Epsteinit nuk i mbetej gjë tjetër veçse të përdorte vizën angleze të cilën ia kishin siguruar vëllezërit. Kështu, me datën 20 prill 1939 ajo bashkë me nënën e saj, niset për një udhëtim tejet të rrezikshëm deri në Itali me anije e më pas me avion nëpër Berlin, Köln, Amsterdam, Londër. Vitet e mëtejshme të jetës së kësaj zonjë janë të mbushura plot e përplot me ngjarje, por historitë plot vuajtje dhe rrezik u skalitën në kujtesën e saj duke memorizuar të shkuarën dhe duke ecur përpara udhëve plot të papritura të jetës. Megjithëse jetën si emigrante në Angli e fillon me sakrifica, duke qepur uniforma për ushtarët anglezë të Luftës së dytë Botërore, falë forcës e vullnetit të saj ajo arrin të vazhdojë studimet universitare, të bëjë doktoraturën e të bëhet profesoreshë dhe një ndër antropologet më të njohura në Britaninë e Madhe.

Miqësia me Profesor Scarlett Epstein

Me Prof. Epstein na lidhi një miqësi e fortë, e sinqertë dhe e bazuar në ndjenjat e bukura të mirënjohjes, mikëpritjes dhe Besës shqiptare. Ajo ka lënë dy vajza, Debby dhe Michelle, por në fakt edhe një tjetër, një zonjë shqiptare, ish Ministre Këshilltare e Ambasadës shqiptare në Londër, një pedagoge e nderuar dhe diplomate e shkëlqyer, Dr Teuta Starova që i ishte bërë vajza e saj e tretë. Ditë e netë të tëra, ajo i kalonte ose duke biseduar, lëvizur, shkuar nëpër universitete, sinagoga, shkolla për të folur për shqiptarët ose në telefonta të gjata duke bërë plane se si ta propogandonin vlerën shqiptare të Besës dhe mikpritjes në mjediset angleze.
Në vitin 2012 në Viener Library, në Londër u organizua një takim kushtuar Prof. Scarlett Epstein në prani të bashkësisë hebraike dhe shqiptare të Londrës. Atë veprimtari e nderoi edhe Ambasadori i Izraelit në Britaninë e Madhe, Sh.T. z. Daniel Taub. Aty ajo u nderua me simbolin e qytetit të Tiranës. Po ashtu kishte ardhur edhe zonja Ingrid Strati, një intelektuale e njohur shqiptare nga Durrësi, me qëndrim në Itali, pasardhëse e familjes së shquar patriote të Dovanave. Me atë familje Scarlett kishte rivendosur kontaktet vetëm pak kohë më parë me ndihmën e një tjetër diplomateje të Ambasadës shqiptare, zonjës Xhoana Papakostandini, që fati kishte dashur që jo vetëm të ishte nga Durrësi por edhe që familja e saj të kishte miqësi me familjen Dovana. Dukej se edhe pas 74 vjetësh buka e Dovanajave nuk ishte harruar nga Epstein dhe as mirënjohja për ta dhe për Durrësin, nuk ishte shuar. Kështu, në pranverën e vitit 2012 ajo udhëtoi në Durrës, për të rishkelur përsëri mbi ato rrugë të memories ku pulsonin kujtime të vjetra dhe për të xhiruar një dokumentar mbi historinë e saj në atë qytet.
Po në vitin 2012, Scarlett Epstein udhëtoi për në Uashington DC për të marrë pjesë në përkujtimin e përpjekjeve të shqiptarëve për të mbrojtur hebrejtë gjatë Hollokaustit. Më pas, e ftuar nga Vatra festuam bashkë me të 100 -vjetorin e pavarësisë, të ftuar nga shqiptarët e Nju Jorkut. Në vitin 2014, pas një sërë aktivitetesh mbi Shqipërinë ajo mbajti një fjalim të gjatë në Parlamentin Europian për Besën shqiptare e cila u prit me një admirim të jashtëzakonshëm.

Epilog

Respekti për këtë zonjë është i pafund dhe rrjedh në të njëjtin shtrat kujtimesh, përpjekjesh, vështirësish që ravijëzuan tek ajo gruan e fortë, mirënjohëse përjetësisht ndaj shqiptarëve. Vërtetë që shqiptarët kanë bërë për këtë zonjë atë që bëjnë për çdo njeri që iu troket në derë por edhe ajo ua shpërbleu me aq shumë punë, për ta bërë të njohur këtë histori kudo, atje ku shqiptarët kanë nevojë për njohje, përkrahje dhe ngrohtësi. Pak kohë para se të vdiste i bëmë një viztë. Takimet e bisedat me të ishin jo vetëm të një kënaqësie të veçantë por edhe një detyrim moral ndaj një lidhje historike midis shqiptarëve dhe hebrejve, dy popuj që e kanë siguruar lirinë me aq mundime vuajtje e përpjekje.
Prof. T. Scarlett Epstein sapo është ndarë nga jeta dhe do të varroset me datën 29 Prill në varrezat hebraike në Hove, East Sussex, Brighton.Ajo la pas një histori, e cila nuk duhet harruar Edhe ky shkrim është një nderim ndaj çdo gjëje që Shqipëria bëri për të dhe atë që ajo bëri për Shqipërinë.

U prehtë në Paqë!
Mal Berisha
Londër 27 Prill, 2014