british parliament

TIRANË, 20 Mars/ATSH-Erla Gjikolli/.- Parlamenti i Britanisë së Madhe me votim miratoi mocionin e një grupi deputetësh britanikë, që nxënësit me kombësi shqiptare të japin provim gjuhën amëtare, pëveç detyrimeve të tjera në përfundim të shkollës së mesme.

Ambasadori i Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Republikën e Irlandës, Zef Mazi dha sot lajmin për ATSH-në për këtë ngjarje. Mazi e quan “ historike dhe tepër domethënëse për gjuhën shqipe” futjen e gjuhës shqipe mes gjuhëve të tjera, që sipas sistemit të edukimit britanik dhe ligjeve vendase, gëzojnë të drejtën e përfshirjes dhe zgjedhjes në sistemin e edukimit GCSE (një lloj sistemi arsimor).

Sipas dy nismëtarëve ligjorë të mocionit, Ambasadorit Zef Mazi dhe kryetarit të Forumit të Shoqatave Shqiptare, Lutfi Vata, “ky mocion është historik dhe tashmë ka fjalën e ligjit pas votimit në Parlamentin Britanik, ku kaloi suksesin e parë e tepër domethënës”.

Kryetari i Forumit të Bashkimit të Shoqatave Shqiptare, Lutfi Vata pas kalimit të këtij mocioni, tha se nga nisma e Forumit në bashkëpunim me Ambasadorin Mazi dhe mbështetjen e një grupi të madh parlamentarësh britanikë, “fitojnë shqiptarët, fitojnë fëmijët tanë”.

Vata shpreh gjithashtu bindjen se pas këtij votimi, vjen puna më e madhe. “Ky forum në bashkëpunim të plotë me shoqatat e tjera dhe intelektualet, do sjellë të tjera suksese, ndersa na jep më shumë energji në rrugën tonë të intergrimit”.

Në mocionin e paraqitur në Parlamentin Britanik mes të tjerave, thuhet: “Parlamenti lavdëron punën e shoqatave shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar për organizimin e mësimit të gjuhës shqipe dhe vë në dukje se Asetet e Skemave të Gjuhës janë një skemë vullnetare për vlerësimin shkallë-shkallë të “gjuhëve” të prezantuara nga departamenti për Fëmijët, Shkollat dhe Familjet dhe siguron akreditim për aftësitë e studjuesve të gjuhës të gjithë moshave dhe aftësive, që nga shkalla primare e deri më tej, në arsimin e lartë dhe arsimimin e të rriturve”.

Më tej në mocion, “Ky Parlament i bën thirrje Departamentit dhe kontraktuesve që menaxhojnë skemën e Vlerësimit të Kembrixhit, që të marrin në konsideratë duke shtuar gjuhën shqipe në programin e Pasurive të Gjuhëve dhe u kërkon pesë bordeve të provimeve AQA, CCEA, Edexcel, OCR, WJEC, të shqyrtojnë me kujdes rastin për të shtuar gjuhën shqipe në listën e gjuhëve të cilat mund të studiohen në nivelin e GCSE-së.”

Vetëm një ditë më parë, përfaqësues të Forumit takuan gjashtë deputetë të Parlamentit Shqiptar, që ndodheshin për një vizitë pune në Mbretërinë e Bashkuar, me ftesë të homologëve britanikë. Takimi që u zhvillua në mjediset e Parlamentit Britanik mes përfaqësuesve të Forumit dhe deputetëve të pozitës dhe opozitës shqiptare, kishte në thelb edhe këtë shqetësim.

Në takim problemi i gjuhës shqipe fitoi një diskutim disa minutash, por edhe diktoi një arsye më shumë për të shtuar shpresat e kalimit të këtij mocionit. “Le të shpresojmë se ky shans i dhënë do të angazhojë më shumë vullnetarët dhe intelektualët për të thënë fjalën e tyre të pjekur dhe ndihmesën e nevojshme”, tha Vata, për të cilin, ky sukses është i prekshëm dhe mjaft i rëndësishëm.

GCSE është shkurtesë për Vërtetim për arsim të mesëm të kryer (GCSE – General Certificate of Secondary Education). Ky kualifikim fitohet zakonisht me 5 deri 8 lëndë në moshën 16-vjeçare, kur përfundon arsimi i detyrueshëm. Pas marrjes së GCSE-së, nxënësit kanë mundësi të ndryshme për arsim deri në moshën 18-vjeçare.