Partia Fryma e Re kërkoi të mërkurën zgjatjen e afatit të regjistrimit dhe lehtësimin e procedurave të regjistrimit dhe votimit për diasporën.

Kjo parti përmes një deklarate për media thotë se diaspora shprehet e pakënaqur rreth pamundësisë së votimit, për shkak të vështirësive që ata i hasin gjatë procesit të regjistrimit.

“Gjatë ditëve të fundit, Partia Fryma e Re ka marrë porosi të shumta nga diaspora për pamundësinë e votimit dhe vështirësitë, në të cilat ata hasin gjatë procesit të regjistrimit. Duke mos paragjykuar arsyet e këtyre vështirësive për diasporën, Partia Fryma e Re i bën thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që ta zgjasë afatin e regjistrimit për diasporën dhe ta lehtësojë sa më shumë procedurën për regjistrim dhe votim”, thuhet në deklaratë.

Poashtu, FER-i potencoi rolin e pakontestueshëm të diasporës kosovare në historinë e Kosovës, përmes kontributeve të vazhdueshme, lobimit dhe përkrahjes që e kanë dhënë për zhvillimet pozitive në Kosovë.

“FER-i përkujton edhe njëherë të gjithë se ekonomia kosovare sot do të ishte në falimentim po të mos ishin ndihmat që edhe sot diaspora i dërgon për familjet e tyre në Kosovë”, thuhet në deklaratë.

Në fushën e ekonomisë, FER-i thuhet se e ka potencuar programin preferencial për investimet e diasporës që në të kaluarën janë diskriminuar nga keqqeverisja.

Përfaqësues të FER-it theksuan se e përkrahin edhe anëtarësimin e Kosovës në shoqatën ndërkombëtare të sigurimeve, që do ta mundësonte largimin e pagesës së sigurimit prej 50 euro për automjetet e huaja, e që më së shumti e godet diasporën kosovare që e viziton Kosovën shumë shpesh.

Burimi:
Telegrafi.com