Para ca ditësh disa tabloidë britanikë publikuan artikuj të shoqëruara me fotografi në lidhje me “gangsterët” shqiptarë të Bromley-t, komunë në jug të Londrës. Fotografitë e publikuara tregojnë djem të rinj duke pozuar me armë automatike, kallashnikovë, të cilët kinse po i takuakan bandës së gangsterëve OTR (shkurtimisht nga ON TOP OF THE REST – Mbi Gjithë Të Tjerët).

Edhe pse policia e Bromley-t këto paraqitje në foto nuk i merr seriozisht duke thënë se “nuk ka evidencë që këto foto kanë të bëjnë me armë të vërteta dhe nuk ka evidencë që këto foto janë bërë në Bromley, apo në këtë shtet”, kjo gjë nuk i ndaloi tabloidët të vazhdojnë fryrjen e kësaj çështje duke dëmtuar imazhin e shqiptarëve të Britanisë së Madhe.

Çdo gjë filloi kur gazeta lokale e Bromley-t, News Shoper, publikuan artikullin me titullin “Banda shqiptare qesin armët me mburrje në internet”. Foto e publikuara janë marrë nga uebsajti i njohur i tinejxherëve Bebo, ku përpos tyre ka edhe video-spot të OTR-së që mjegullon çështjen se OTR të jenë gangsterë apo thjeshtë një Rap bend me muzikë ku dhuna, seksi dhe getoizimi janë tema kyçe të saj.

Një ditë pas publikimit të këtij artikulli doli një artikull tjetër në tabloidin “Daily Mail” me titullin “Banda e imigrantëve shqiptarë pozojnë lirshëm me automatikë të fuqishëm në Bebo dhe YouTube”. Tash futja e fjalës “imigrantë” i jep një konotacion tjetër kësaj çështje, duke potencuar se gangsterët janë ardhacakë e jo vendas, me një rrezik që të njollos tërë komunitetin shqiptar, edhe pse nuk dihet identiteti i individëve në foto si dhe ata mund te kenë shtetësinë britanike.

Më pas doli edhe një artikull tjetër në tabloidin “Daily Sta”r me titullin “Banda e imigrantëve pozojnë me armë në internet” ku tash emrin OTR e shpjegojnë si iniciale të “On The Run” (Në Ikje). Edhe në këtë artikull përmendet se fotot janë marrë nga uebsajtat e njohur dhe përmendin deklaratën e policisë se këto nuk duhet të merren seriozisht.

Duhet përmendur se më herët policia kishte deklaruar se “nuk ka krime të lidhura me përdorimin e armëve të zjarrit nga komuniteti shqiptar i Bromley-t”, atëherë shtrohet pyetja se pse të ngrihet gjithë ky pluhur që dëmton imazhin e shqiptarëve të Britanisë?

Ajo që dëmton imazhin e shqiptarëve nuk është vetëm publikimi i këtyre artikujve por edhe i lejimi i disa komenteve që shoqërojnë këta artikuj. Shumë prej komenteve në artikullin e publikuar në Daily Mail kanë ngjyrime anti-imigrante, janë shqetësuese dhe ofenduese për shumicën e pjesëtarëve të komunitetit shqiptar në Britani, të cilët çojnë jetë normale, punojnë dhe kontribuojnë në shoqërinë britanike.

Burime dhe lidhëza:
BROMLEY: Albanian gang brandish guns in online boasts
The Albanian immigrant gang free pose with high-powered machine guns on Bebo and YouTube
IMMIGRANT GANG POSE WITH WEAPONS ON INTERNET
O.T.R/GG ARMY’s Photoss