Znj. Cherie Blair, gruaja e ish Kryeministrit Tony Blair, gjatë një takimi të zhvilluar sot me ambasadorin Lirim Greiçevci në Londër, dhuroi një fustan në mbështetje të fushatës “Mendoj për Ty”

Znj. Cherie Blair gjatë një takimi të zhvilluar me 9 qershor 2015 me ambasadorin Lirim Greiçevci në Londër, dhuroi një fustan në mbështetje të fushatës “Mendoj për Ty”

Znj. Cherie Blair, gruaja e ish Kryeministrit Tony Blair, gjatë një takimi të zhvilluar dje me ambasadorin Lirim Greiçevci në Londër, dhuroi një fustan në mbështetje të fushatës “Mendoj për Ty”. Fustanin e dhuruar ajo e kishte veshur gjatë një darke shtetërore të shtruar nga Mbretëresha në Pallatin Buckingham. Ajo u solidarizua kështu me të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë në kuadër të instalacionit artistik me fustane të dhuruara nga personalite të ndryshme.
Fushata “Mendoj për Ty”, është projekt i artistes shqiptaro-britanike, Alketa Xhafa Mripa, që po zhvillohet nën kujdesin e Presidentes Jahjaga dhe të ekspozohet më 12 qershor në stadiumin e qytetit në Prishtinë.

Gjithashtu edhe Baronesha Anelay, Ministre e Shtetit në Qeverinë Britanike, iu bashkua fushatës “Mendoj për Ty” , duke dhuruar një fustan për këtë ekspozitë.

Baronesha Anelay ia dorëzoi fustanin e dhuruar Ambasadorit të Kosovës në Londër, z. Lirim Greiçevcit, gjatë një takimi të zhvilluar me 8 qershor në ambientet e Ministrisë së Jashtme Britanike në Londër. Ambasadori Greiçevci, nga ana e tij, i shprehu falenderime në emër të Presidentes Jahjaga.

Ekspozita “Mendoj për Ty” ka për qëllim që të sensibilizojë opinionin publik, vendor dhe ndërkombëtar, rreth fatit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, përmes instalacionit të përgatitur nga artistë nga Kosova. Deri me tani janë dhuruar mijëra fustane nga anë të ndryshme të botës.

Superylli Rita Ora gjithashtu ka dhuruar një fustan duke i dhënë mbështetje të fuqishme globale kësaj ekspozite.