Ndihmat nga Londra, për të varfërit e tokave shqiptare

Ndihmat nga Londra, për të varfërit e tokave shqiptare

Grupi i profesionistëve shqiptarë me origjinë nga Kosova, të cilët jetojnë e punojnë në Londër tashmë mbi dy dekada, dhe veten e identifikojnë si “Basketistat”, kanë vazhduar traditën e nisur disa vite më parë, që të ndihmojnë familje në nevojë në Kosovë.

Ata, që kishin emigruar në Britani që në moshën studentore, ose edhe më të rinjë, tashmë nuk janë të huaj në Mbretërinë e Bashkuar, transmeton Koha.net. Atje kanë kryer studimet dhe bëjnë punë intelektuale – inxhinierë, ekonomistë, juristë, mjekë … Dhe, ndonëse nuk përballen më me brengat e refugjatit, as të njerëzve të rrethit të origjinës, nuk i kanë harruar problemet e tyre dhe brenda mundësive që kanë përpiqen t’ua lehtësojnë ato. Tash e disa vite ata mbledhin para dhe me ndërmjetësimin e Kryqit të Kuq të Kosovës ua shpërndajnë atyre që kanë më shumë nevojë.

Në mbarim të vitit të kaluar, gjatë një mbrëmjeje në Londër ata mblodhën 6.300 euro, të cilat ia dërguan Kryqit të Kuq të Kosovës për të blerë artikuj – miell, sheqer, vaj, oriz, pastaj artikuj të higjienës, në sasi do ta gjykonte të nevojshme për t’ua lehtësuar mbijetesën së paku për një kohë familjeve që do t’u shpërndaheshin. Ato u shpërndanë gjatë kësaj pranvere.

Por sivjet, sikurse edhe në vitin e kaluar, Kryqi i Kuq i Kosovës, në përputhje me kërkesën e këtyre bamirësve, nga kjo shumë veçoi 2300 euro për të ndihmuar njerëz në nevojë në Kukës e rrethinë, i cili në pranverë të vitit 1999 u tregua aq bujar duke strehuar dhjetëra mija kosovarë, të dëbuar gjatë luftës që zhvillohej aso kohe në Kosovë.

Ndërsa për 40 familje në Kosovë Kryqi i Kuq bleu artikuj më të nevojshëm ushqimorë dhe të higjienës me kundërvlerë 100 eurosh për secilën, kjo organizatë në bashkëpunim me Kryqin e Kuq të Kukësit dhe sipas kërkesës së kësaj të fundit mbështeti rreth pesëdhjetë familje me kundërvlerë 50 eurosh për secilin përfitues.

Familjet në Kosovë, nga komunat Podujevë, Vushtrri, Lipjan, Novobërdë, Rahovec … përmes Kryqit të Kuq të Kosovës shprehën falënderimet ndaj donatorëve bujarë në Londër, sikundër edhe përfituesit në Kukës. Violeta Sinanaj, zyrtare e Kryqit të Kuq në këtë qytet, tha se asnjëherë nuk kishin pasur një ndihmë kaq bujare nga cilido donator tjetër, duke shprehur kështu mirënjohjen për ndihmën të organizatës që e drejton dhe të familjeve përfituese.

Burimi:
http://koha.net/?id=27&l=117142