Ambasadori Lirim Greiçevci (në mes) me violinistët e talentuar Arsim Gashi dhe Bardh Lepaja dhe prindërit e tyre, në shkollën e mirënjohur Whitgift në Londër.

Ambasadori Lirim Greiçevci (në mes) me violinistët e talentuar Bardh Lepaja dhe Arsim Gashi dhe prindërit e tyre, në shkollën e mirënjohur Whitgift në Londër.

Shkroi: Ambasadori Lirim Greiçevci

Mbrëmë mora pjesë në koncertin final të garës ndërkombëtare të muzikës klasike të organizuar nga shkolla e njohur Whitgift në Londër. Bardh Lepaja dhe Arsim Gashi, dy violinistë të rinj të talentuar, morën pjesë për herë të dytë në këtë garë ndërkombëtare. Para dy vitesh, të dy këta, së bashku me Arian Zherkën, violonçelist, fituan vendet e dyta.

Kësaj radhe, duke njohur talentin dhe dëshirën e zjarrtë të Bardhit për shkollim cilësor, drejtori i shkollës Whitgift, Dr. Christopher Barnett, ndau një bursë të plotë për Bardhin, jashtë garës, për të vazhduar shkollimin në Whitgift, nën përkujdesin e mësimdhënësve kulminantë të muzikës. Përveç muzikës, Bardhi, nga shtatori i këtij viti, do të vijojë edhe shkollimin e rregullt të mesëm në këtë shkollë. Shkolla Whitgift është themeluar në vitin 1596 (419 vjet e vjetër) dhe është shkollë private tradicionale vetëm për djem.

Ishte kjo një rrugë e gjatë dhe jo e lehtë për Bardhin, të cilin e kisha takuar për herë të parë në Prishtinë para dy vitesh, në shkollën e muzikës “Prenk Jakova”, së bashku me drejtorin e shkollës Whitgift, Dr Barnett. Atë dhe ekipin tij i kisha sjellur në Kosovë për të përzgjedhur talentë të rinjë të muzikës për garën ndërkombëtare të muzikës në Whitgift. Bardhi la menjëherë një përshtypje shumë të mirë, jo vetëm si muzikant i talentuar, por edhe si djalë ambicioz dhe i kulturuar. Në fakt, Bardhin e kisha parë për herë të parë në një kronikë të Klan Kosova, ku ai ishte prezantuar së bashku me familjen e tij, duke udhëtuar çdo ditë, në kushte jo të lehta, nga fshati i tij për në shkollën e muzikës në Prishtinë.

Bardhit i dëshiroj sukses në shkollimin e tij në Whitgift dhe jam i bindur se emrin e tij do ta mësojnë të gjithë në të ardhmen si muzikant i talentuar.

Linku nga kronika e Klan Kosova për profilin e Bardhit:
https://www.youtube.com/watch?v=2PWN3YbCHjY

Gara Ndërkombëtare e Muzikës në Whitgift:
http://www.whitgift.co.uk/wimc.aspx