Ambasadori Hamiti dorëzoi Letrat Kredenciale te Mbretëresha Elizabeta II

Londër, 8 dhjetor 2009 — Ambasadori i Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, Shkëlqesia e Tij Muhamet Hamiti, ka dorëzuar sot (e martë, 8 dhjetor 2009) në mesditë Letrat Kredenciale tek Lartmadhëria e Saj Mbretëresha Elizabeta e Dytë. Ceremonia e dorëzimit të Letrave u zhvillua në Pallatin Mbretëror Buckingham Palace në Londër.

Ambasadori Hamiti i përcolli Mbretëreshës Elizabeta II përshëndetjet e Presidentit të Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiut, mirënjohjen e  Qeverisë dhe të popullit të Kosovës për mbështetjen që vendi i Saj i ka dhënë Kosovës në kthesat historike e vendimtare për fatet e popullit dhe të shtetit të Kosovës në kapërcyell të shekujve XX-XXI, në luftë dhe në paqe.

Duke folur më tej për lidhjet miqësore dhe marrëdhënient shtetërore, Ambasadori Hamiti e siguroi Mbretëreshën Elizabeta II për dëshirën dhe vullnetin e popullit dhe të Qeverisë së Kosovës që këto marrëdhënie të fuqizohen edhe më tej në të mirë të të dyja vendeve.

Lartmadhëria e Saj Elizabeta II shfaqi kënaqësinë për pritjen dhe akreditimin e Ambasadorit të parë të Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, si dhe për lidhjet miqësore e marrëdhëniet e shkëlqyeshme në mes të dy vendeve tona. Mbretëresha përkujtoi se një anëtare e familjes mbretërore, e bija e saj, PrinceshaAnna, e ka vizituar Kosovën.

Kosova po hyn në raporte marrjeje e dhënieje me botën, po hyn në procese integruese e zhvillim ekonomik, që duhet ta fuqizojë shtatin e Kosovës në bashkësinë e kombeve të lira, tha Ambasadori Hamiti, duke shtuar se çmon shumë përkrahjen deritanishme të Mbretërisë së Bashkuar dhe pret vazhdimin e saj.

Nga ana e saj, Mbretëresha Elizabeta II shprehu kënaqësinë për përparimet që ka bërë  Kosova në këtë kohë të shkurtër të ekzistencës si shtet i pavarur, duke uruar për prosperitetin e popullit të Kosovës në epokën e tij të re.

Burimi:
http://www.ks-gov.net/mpj/?page=1,4,400