Alketa Xhafa - Refugees Welcome

Alketa Xhafa – Refugees Welcome

Si studente, në vitet ’90, artistja kosovare, Alketa Xhafa-Mripa, kishte ikur nga një vend i kërcënuar nga lufta, shkruan sot Koha Ditore.

Kujtimet e saj lidhen ngushtë me mikpritjen që ua bënte Britania asokohe refugjatëve, por në anën tjetër vë në pikëpyetje mbështetjen që ekziston për refugjatët në ditët e sotme. Të gjitha këto janë përthekuar në një instalacion artistik, që do të ekspozohet në Muzeun Britanik sot (e premte) në kuadër të “Refugee Week” (Javës së refugjatëve).

E përkrahur nga “Counterpoints Arts” dhe “Ballkan Artists Guild London”, “Moving Stories: A Refugee Week” (Rrëfime prekëse: java e refugjatëve) në “British Museum” përmban një program multidisiplinar që përfshin teatrin, fjalët, muzikën, shfaqje filmash, transmetimin e projekteve sociale dhe një mori punëtorish e aktivitetesh nga artistët dhe bashkëpunëtorët e Muzeut. Po ashtu shoqërohet me koleksionin e jashtëzakonshëm të objekteve, rrëfimeve dhe ideve të Muzeut.

Artistja konceptuale Aleta Xhafa-Mripa e zbulon instalacionin e saj më të ri me titull “Refugees Welcome” në hapësirën e titulluar “Islamic World Room”.

Vitin e kaluar, Xhafa-Mripa mori vëmendjen e medieve botërore me instalacionin e saj “Mendoj për ty” që mblodhi mijëra fustane të cilat u varën në tel rrobash në Stadiumin e Prishtinës në formën e përkrahjes për viktimat e dhunës seksuale të luftës së fundit në Kosovë. Hapja e ekspozitës “Mendoj për ty” u bë të premten e 12 qershorit, me rastin e 16-vjetorit të hyrjes së forcave të NATO-s pas bombardimeve tremujore.

Kristale Ivezaj – Rama, themeluese e “Ballkan Artists Guild London”, ka thënë se është hera e parë që do të ekspozohet instalacioni “Mirë se vini refugjatë” i Xhafa-Mripës.
“Britania është vend me histori të gjatë të mikpritjes së refugjatëve. Dhe Alketa në instalacionin e saj vë në pyetje se cila duhet të jetë pozita e Britanisë lidhur me krizën aktuale të refugjatëve? A jemi duke bërë mjaftueshëm për refugjatët që po ikin nga Siria dhe nga vendet e tjera të goditura nga lufta?

Duke qenë edhe vetë refugjate në vitet ’90 të shekullit të kaluar, Alketa përkujton sesa shumë ishte kujdesur populli britanik ndaj refugjatëve kosovarë: ata kishin hapur zemrat dhe shtëpitë e tyre për popullin e Kosovës – duke përfshirë edhe vetë Alketën”, ka shpjeguar Ivezaj – Rama, duke shtuar se me këtë vepër Xhafa-Mripa shpreson t’ia përkujtojë audiencës dhe të rizbulojë këtë shpirt të solidaritetit.

Sipas saj, ekspozimi në Muzeun Britanik është vetëm hapi i parë i instalacionit për refugjatët.

Burimi: Koha Ditore