Televizionet e Kosovës, konkretisht RTK-ja dhe KTV-ja, njoftojnë se gjithçka është gati për ceremoninë e sotme të hapjes zyrtare të njërit krah të autostradës Durrës – Kukës – Morinë. Poashtu bëjnë të ditur, se me rastin e hapjes së kësaj rruge, e cila i ka kushtuar qeverisë shqiptare mbi 1 miliard euro, do të organizohet një ceremoni festive në shenjë të përfundimit të punimeve në shpimin e tunelit të Kalimashit, në të cilën do të marrë pjesë kryeministri i Kosovës, z. Hashim Thaçi dhe kryeministri i Shqipërisë, z.Sali Berisha.

Çuditërisht, asnjë prej televizioneve shtetërore të Shqipërisë, por as edhe qendrat e tjera të informimit si: Zëri i Amerikës , BBC-ja, Radio Evropa e Lirë, Dojçe Wele etj., në webfaqet e tyre, kanë injoruar këtë lajm. Ky qëndrim sikur pretendon ta bëj të pabesueshëm lajmin apo më drejtë të thuhet, ka krijuar dilemën në vërtetësinë e informacionit për të shkaktuar kështu një konfuzion, jo vetëm për të vërtetën e tij, por edhe për përmasën e festës, formën e organizimit të saj etj. Pa dashur të paragjykojmë, sikur dikush dëshiron ta kalojë në heshtje, një ngjarje kaq të rëndësishme dhe kaq domethënëse në jetën e popullit tonë, pikërisht vetëm me një ceremoni instiktive, diskrete etj. Duket se edhe këtë herë, për shkak të injorancës dhe papërgjegjësisë së institucioneve, që aktualisht drejtojnë vendin apo për teke e huqe të tyre, mbase edhe për ndonjë lloj interesi, të cilin nuk do të kishim dashur ta komentonim, qytetarët do të detyrohen të kalojnë edhe këtë ngjarje, siç dinë dhe munden vetë.

Shkroi:
Lëvizja për Integrim dhe Bashkim