Humoristi Vedati duke imituar schatzi-t gjatë një skeçi humoristik të Stupcave

Humoristi Vedati duke imituar schatzi-t gjatë një skeçi humoristik të Stupcave

Qe një kohë të gjatë shqiptarët e diasporës, sidomos ata që jetojnë në vendet gjermano-folëse, thirren me një emër tjetër. Sigurisht e dini për cilin emër po aludohet. Bëhet fjalë për fjalën gjermane “schatzi” që në shqip do të thotë “i/e dashur, shpirtë apo zemër” dhe që përdoret veçanërisht në Zvicër.

Burimi i kësaj fjale vjen nga fjala proto-gjermane, ‘skattaz’, që do të thotë thesar, pasuri, para apo edhe bagëti.

Pjesëtarët e diasporës në të vërtetë janë një thesar për Kosovën, kur dihet se gati 20% e GDP-së kosovare vjen nga ata, por për fat të keq ata merren pak edhe is bagëti kur ky emër përdoret pak si me satirë, sarkazëm apo edhe si ofendim. Kjo nuk është ndonjë risi. Risi është publikimi më i ri shkencor i kandidatës për PhD(doktoraturë) në Media dhe Studime Kulturore, Dafina Pacës.

Ajo në publikimin e saj ka analizuar se si e shohin shqiptarët e Kosovës diasporën e vet dhe shumë elemente tjera në lidhje me perceptimin që ka populli në Kosovë për mërgimtarët.

Shumica e studimeve për diasporën koncentrohen në temat e integrimit, sukseseve, dështimeve në vendin ku ata kanë migruar dhe remitencave, por mungojnë analiza për mënyrën se si pranohen ata në vendin prej nga e kanë origjinën. Kjo është qasja e re që Paca ia ka dhënë hulumtimit dhe rezultatet nuk kanë munguar.

Ajo flet rreth konkluzioneve të hulumtimit të saj, nxjerrë nga intervista të shumta të realizuara me përfaqësues të shoqërisë civile, përfaqësues të mediave dhe ata që nxisin opinione të ndryshme në Kosovë.

“Jam befasuar me rezultatet e hulumtimit” thotë Paca e cila është në përfundim të doktoraturës në Universitetin e Kardifit në Britani. “Fjala schatzi megjithëse ka kuptim të mirë, është përmbysur dhe mënyra se si përdoret tash paraqet diskriminim” thotë ajo.

Nga të intervistuarit e saj del që ekziston një narrativë e pa shkruar për diasporën tonë që i percepton ata varësisht nga disa faktorë: nga vendi ku ata kanë migruar, nga arsyeja pse ata kanë migruar dhe ku jetojnë momentalisht në botë. Për shembull: të intervistuarit kanë perceptim më të mirë për ata që kanë migruar individualisht dhe për shkaqe studimi ndërsa ata që kanë migruar me familje për shkaqe të punës i përceptojnë jo edhe aq mirë. Gjithashtu, perceptimi është pozitiv për azilkërkuesit politikë.

“Shqiptarët që kanë migruar në Gjermani, Zvicër e kudo nëpër Evropë si ‘gastarbeiter’-a, perceptohen si banorë të fshatrave të Kosovës që nuk kanë mundur të gjejnë punë në Kosovë dhe si rezultat kanë qenë të pasuksesshëm. Mirëpo ky është një përceptim shumë i gabuar ngase dihet sa e madhe ka qenë papunësia atëkohë në Kosovë, thotë Dafina Paca.

Gjithashtu publikimi konstaton se ky percetim ndryshon me shpejtësi marramendëse kur bëhet fjalë për individ që korrin suksese në vendet ku kanë migruar sikur: Xherdan Shaqiri, Rita Ora etj.

Në publikimin e saj, migrimet më të mëdha të shqiptarëve të Kosovës ndahen në disa faza. Ata që kanë migruar nga vitin 1946 deri 1966 gjatë kohës brutale të Aleksandar Rankovic-it. Ata që kanë migruar nga 1963 deri në fund të 1970. Të migruarit nga 1980 deri 1990 dhe në fund mes vitit 1998 dhe 1999 që kanë migruar gjatë luftës në Kosovë.

Dafina Paca e cila vet ka prapavijë imigranteje në Angli, momentalisht po punon në tezën e saj të doktoraturës që e ka titulluar “Neither here nor there” apo në shqip “As këtu as atje” që i dedikohet krejtësisht diasporës kosovare.

Publikimin e plotë mund ta gjeni këtu:
http://www.cardiff.ac.uk/jomec/jomecjournal/7-june2015/Paca_Schatzi.pdf

Burimi nga i cili është rishkruar ky artikull:
http://revistaporta.com/shoqeri/a-eshte-termi-schatzi-diskriminues/